Festohet sot Fitër Bajrami, cila është rëndësia dhe domethënia e Bajramit të Madh?

Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 25.06.2017, 08:11

Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin, një festë që vjen pas një muaji të plotë agjërimi, lutjeve dhe adhurimeve dhe leximit të Kuranit.

Në Tiranë mijëra besimtarë sot kanë falur namazin në sheshin qendror të Tiranës, sheshi “Skënderbej”.

Festimet e Fitër Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, theksoi në fjalën e tij se “festa e Fitër Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë”.

Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita për të gëzuar fëmijët me dhurata dhe përkëdhelje, është dita për të respektuar të moshuarit me mirënjohje dhe dashuri, është dita për t’u gjendur pranë të gjithë atyre njerëzve që presin interesimin dhe vëmendjen tonë”, tha Bruçaj.

Por cila është domethënia dhe rëndësia e Fitër Bajramit, apo ndryshe Bajramit të madh?

Fitër Bajrami, që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, është sot. Data e kësaj feste ndryshon çdo vit varësisht nga fazat e hënës.

Profetit Muhammed a.s i ka ardhur revelata hyjnore gjatë këtij muaji të shenjtë. I njohur gjithashtu edhe si Bajrami i Madh, kjo festë shënon fundin e agjërimit me daljen e hënës së re natën e fundit të Ramazanit.

Njerëzit e fillojnë ditën herët në mëngjes me faljen e namazit të Bajramit. Pas faljes së namazit të Bajramit, besimtarët kanë një mëngjes të shtruar mirë nëpër shtëpitë e tyre, ku më pas vizitojnë fqinjët dhe më të afërmit e tyre për t’i uruar për këtë festë, transmeton Gazeta Express.

Bajrami shihet si një festë e cila i bashkon njerëzit. Myslimanët e shohin këtë festë si një rast për të pasur paqe dhe lumturi.

Myslimanët shpesh blejnë rroba të reja për këtë festë dhe marrin pjesë në festime dhe festivale. Edhe dhurata shkëmbehen mes miqve dhe familjarëve.

Tradicionalisht, Bajrami i Madh është një festë publike në shumë vende me shumicë myslimane.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit