Të shumta kanë qenë protestat që Aleanca Kuqezi ka ndërmarrë ndaj qeverisjes së Edi Ramës dhe ministrave të tij. Sidomos, mund të veçojmë protestën para Ministrisë së Jashtme, protestën ku kërkonin arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj si dhe ajo më e goditura para Ministrisë së Brendshme, ku forumi i Aleancës Kuqezi i dërgoi Saimir Tahirit 300 vazo me hashash.
E fundit, që nuk mund të harrohet kollaj është protesta në "çadrën e lirisë" së vendosur nga Partia Demokratike.
Por, kjo e fundit nuk i doli me leverdi Aleancës Kuqezi, pasi kreu i PD -së, Lulzim Basha e "preu në besë" kreun e kësaj partie, Kreshnik Spahiun duke mos e vënë në listën e kandidatëve për deputet aty ku ai donte.
Kjo, ishte arsyeja që dhe vetë Kreshnik Spahiu iku nga jeta politike në Shqipëri. Mirëpo, elektorati i Aleancës Kuqezi në Tiranë duket se po gjen strehë tek Partia Socialiste. Kjo është vënë re në një aktivitet ku merrte pjesë Saimir Tahiri, në të cilin ish -kreu i degës së Aleancës Kuqezi në kryeqytet, Augent Xhaferaj i bëri thirrje elektoratit kuqezi t’i bashkohen socialistëve.
Për gati tre muaj, elektorati i AK qëndroi në çadrën e protestës përballë kryeministrisë bashkë me demokratët. Por, pasi nuk përfituan atë që deshën, shkojnë e bashkohen me Saimir Tahirin, ndaj të cilit reagimet dikur kanë qenë të ashpra për hashashin.
Në situata të tilla, kjo politikë po demostron gjithnjë e më tepër se pushteti është më i mirë se çdo parim tjetër.