Një prej ngjarjeve të ndodhura ditën e djeshme në lagjen "15 tetori" në qytetin e Vlorës është edhe ajo e hedhjes në erë të një automjeti, i cili ishte i parkuar në anë të rrugës.
Elton Ismaili, pronari i mjetit ka folur në lidhje me këtë ngjarje që është kthyer në rutinë në jetën e tij. Ai shprehet për gazetarin Enrik Mehmeti se nuk e ka idenë se kush mund t'i ketë bërë atentat, teksa tregon se vite më parë i kanë vrarë disa nga pjesëtarët e familjes dhe në asnjë rast nuk është gjetur autori.
Eltoni bën me dije se ndihet i frikësuar për jetën e fëmijëve të tij, ndërsa mbrëmë makina shpërtheu sapo hapën derën e shtëpisë. Ata ndodheshin rreth 4 metra larg automjetit dhe vetë Ismaili e cilëson si mrekulli shpëtimin.
Ai shton se në të kaluarën ka pasur edhe presione e kërcënime të tjera.
Ndër të tjera vlonjati bën me dije se nuk ka konflikte dhe nuk e di nga i vijnë këto gjëra.
Eton Ismailit vite më parë i kanë vrarë në atentat vëllanë, motrën, dajën dhe ortakun. Për asnjë nga ngjarjet nuk ka një autor.