Dy vëllezërit nga Tropoja, Bujar dhe Florina Daka u shpallën në kërkim nga policia sot paradite, të akuzuar si porositësit e vrasjes së komisarit Artan Cuku. Ata kanë qenë gjithmonë të dyshuarit kryesorë për këtë ngjarje të rëndë.
Vëllai i Bujarit dhe Florianit, Agim Daka, u vra pas 11 orësh në polici me armën e komisar Cukut disa vite më parë.
Vetëvrasja e Agim Dakës nga Tropoja dhe hakmarrja për këtë ngjarje ka qenë pista kryesore ku po hetonte policia për zbulimin e autorëve të ekzekutimit të komisar Artan Cukut.
Kush është Agim Daka, vëllai i Bujarit dhe Florianit që u vetëvra në zyrën e Artan Cukut?
Ngjarja ndodhi brenda në zyrat e Policisë së Shtetit në Tiranë, ku viktima u shoqërua pasi ngjante shumë me të vëllanë, Bujar Daka, i cili ishte arratisur nga Policia e Shkodrës.
Më konkretisht, viktima Agim Daka, teksa po merrej në pyetje në zyrën e shefit të Krimeve të Komisariatit nr.4, Artan Cuku, arriti t’i merrte armën këtij të fundit.
I ndaluari që po merrej në pyetje qëlloi veten me armën e shefit të Krimeve të Policisë dhe mbeti i vrarë në vend. Kjo ngjarje ishte një incident i rëndë për Artan Cukun, i cili u pezullua nga detyra për disa javë, derisa hetimi e nxori të pastër nga kjo ngjarje.
Mirëpo, pavarësisht vendimit të organeve drejtuese të Policisë dhe asaj çka vendosi prokuroria, familjarët e Agim Dakës bënë akuza edhe publike ndaj Policisë, edhe ndaj Artan Cukut. Agim Daka ishte shoqëruar nga Policia në zonën e Vorës, ku u ndalua nga një postbllok i Komisariatit nr.4.
Ai u ngjau policëve me të vëllanë, Bujar Dakën, i cili ishte larguar nga komisariati i Policisë së Shkodrës, ku kishte qenë i ndaluar. Ndërkohë, në mesin e shkurtit 2005, gruaja e Agim Dakës ishte gjetur pa jetë dhe nga hetimet doli se kishte humbur jetën nga helmimi.
Në momentin kur kreu vetëvrasjen me armën e Artan Cukut mësohet se Agim Daka ka qenë duke u marrë në pyetje në zyrat e Policisë pikërisht për vendndodhjen e vëllait të tij, që ishte arratisur nga Policia e Shkodrës.
Artan Cuku ishte marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zyrën e tij me 25-vjeçarin nga Shkodra. Shefi i Krimeve të Komisariatit nr.4 në atë kohë ka thënë se viktima qëndroi vetëm 5 minuta në zyrën e tij.
Cuku ka shpjeguar se as vetë nuk e kishte kuptuar se si i ndaluari kishte marrë armën e tij dhe kishte qëlluar veten në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Artan Cuku ka thënë në dëshminë e tij se i ndaluari ia mori armën në një moment kur ai kishte hequr xhaketën në zyrë, por të afërmit e 25-vjeçarit akuzuan se Agim Daka ishte dhunuar fizikisht e psikologjikisht për të treguar informacione në lidhje me vendndodhjen e vëllait të tij.