Është shoqëruar në komisariatin e policisë në Tiranë i dyshuari i parë për vrasjen e ish-Komisarit Artan Cuku. Zyrtarisht mësohet se ai është 24-vjeçari Mikel Sh. nga Kuçova. Ai është ndaluar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotshëm pranë "Pallatit me Shigjeta".
Mikel Sh. dyshohet se është një person që ka pasur probleme të mëparshme me Policinë e Shtetit dhe nuk është një emër i panjohur për uniformat blu.
Identifikimi vrasësit të dyshuar të komisarit Cuku është bërë përmes gjurmëve të ADN-së. Pas vrasjes ai ka hequr trikon që kishte të veshur dhe e ka hedhur në një kosh mbeturinash. Kjo bluzë është sekuestruar dhe prej saj është zbuluar profili i ADN-së.
Nëse ADN-ja e gjetur në bluzën-triko do të përputhet me ADN-në e Mikel Sh., do të kemi edhe arrestimin e autorit të vrasjes së ish-zyrtarit të lartë të Policisë.
Aktualisht po zhvillohet një tjetër operacion për arrestimin e dy personave të tjerë.
Prokuroria ka hetuar në tre pista në lidhje me këtë vrasje.
E para është vrasje për motive gjakmarrjeje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zyrën e tij, ku një person gjeti vdekjen në zyrën e ish-komisarit Cuku. I ndjeri ishte shoqëruar për tu marrë në pyetje.
E dyta është vrasje për shkak të detyrës gjatë kohës që Cuku drejtonte drejtorinë e policisë së Qarkut të Vlorës. Ai ka vënë në pranga persona me precedentë të rëndë kriminalë.
Dhe e treta është hetimi i një konflikti që Cuku ka pasur me administratorin e një shoqërie që merrej me minierat e kromit në Bulqizë.