Bronkiti kronik, shkaktarët, simptomat dhe trajtimi

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.05.2017, 14:54

BronchitisBronkiti është një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes e cila shkakton inflamim (pezmatim) të membranës së mukozës së rrugëve bronkiale në mushkëri. Meqë membrana e irrituar gungëzohet dhe bëhet më e trashë, kjo i ngushton ose i mbyll rrugët e vogla të frymëmarrjes në mushkëri, duke sjellë periudha kollitjesh që mund të shoqërohen nga gëlbazë dhe vështirësi në frymëmarrje. Jul Bushati, mjek pneumolog pranë Spitalit Continental, shpjegon për ‘Shëndet +’ sëmundjen e bronkitit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek ai kronik.

Çfarë është sëmundja e bronkitit?

Në rastin e inflamacionit të rrugëve ajrore, sipas lokalizimit dallohen trakei­ti, trakeobronkiti, bronkiti dhe bronkioliti. Pra bronkiti është inflamacion i bronkeve, por që zakonisht nuk është i lokalizuar vetëm në bronke, por shpesh shoqëruar dhe me prekje të pjesëve të tjera bronkiale.

Cilët janë llojet e bronkitit?

Në praktikën mjekësore dallohen dy tipa kryesore të bronkitit: akut dhe kronik, kjo në varësi të tipit të inflamacionit. Por gjithashtu dallohen bronkitet të klasifikuar sipas shkaktarit etiologjik, gravitetit të manifestimit të sëmundjes, në primar (si sëmundje indipendente) apo sekondar (kur është si manifestim dytësor apo ndërlikim i një sëmundje tjetër), sipas ndryshimeve patologjike strukturore në pemën bronkiale.

Çfarë është bronkiti kronik?

Bronkiti Kronik është një sëmundje që karakterizohet me hipersekrecion bronkial (sasia fizioklogjike < 100ml), që shkakton kollë dhe sputum gjatë shumicës së ditëve për së paku tre muajve të një viti në se paku dy vite radhazi. Bronkiti kronik dhe emfizema janë dy sëmundje të ndryshme, por që në të shumtën shoqërohen me njëra tjetrën. Hiper reagibiliteti, tipik për astmën bronkiale, shpesh mund të konstatohet dhe në bronkitin kronik.

Bronkiti kronik karakterizohet me kollë të vazhdueshme ose të ndërprerë, lidhur me shtim të sekrecionit bronkial, dhe ky i vazhdueshëm apo i ndërprerë, për më tepër se dy vjet gjatë të paktën 3 muaj në vit, kur kjo nuk është e lidhur me shkaqe të tjera në bronke apo në parenkimën e mushkërisë. Për fëmijët pranohet kjo diagnozë nëse ka patur këto shenja mbi 3 muaj brenda vitit.

Megjithëse ky përkufizim nuk është i përsosur, është më i miri. Sipas autorëve, ka rezerva në vlerën e përkufizimit, për të cilët nuk është as mjaft sensibël dhe as mjaft specifik. Dihet që ky përcaktim varet nga ndryshimet në bronket e radhës 1 gjer afërsisht 10. Sëmundjet e rrugëve të vogla bronkiale kanë pak mundësi të identifikohen nga këto shenja, ndërsa për shumë autorë ekzistenca e shenjave obstruktive në këto zona karakterizon grupet me rrezik veçanërisht të lartë për çrregullime të mëtejshme. Bronkiti kronik është në esencë një term patologjik, që nënkupton inflamacion kronik të bronkeve të mëdha. Sidoqoftë, bronkiti kronik është përcaktuar si shtim i sekretimit të mukusit në pemën bronkiale. Meqë kjo mund të përcaktohet në të sëmurët e gjallë vetëm si eliminim i gëlbazës, bën të mundur përcaktimin klinik të dhënë më sipër.

Kësaj gjendje sëmundje shpesh i bashkohen dy manifestime të tjera:

– obstruksioni i gjeneralizuar i vijave ajrore

– infeksioni bakterial, me shfaqje të ekspektorimit mukopurulent.

Në varësi të lokalizimit të dëmtimeve, si dhe të pranisë ose jo të obstruksionit bronchial, dallohen dy forma të bronkitit kronik:

A ‑ Bronkit i thjesht apo proksimal, që prek bronket e mëdha dhe të mesme, e që karakterizohet nga kolla dhe gëlbaza, pa pengesë në nxjerrjen e ajrit, pa obstruksion bronkial.

B ‑ Bronkiti kronik obstruktiv apo distal, ku është prezent prekja e rrugëve të vogla të ajrit, që karakterizohet me ulje të debiteve respiratore, obstruksion bronkial, që klinikisht manifestohet me dispne. Ky është një nga përbërësit e nocionit klinik të sëmundjes mushkërore obstruktive kronike.

Termi bronkit kronik pa specifikim përdoret për të dy këto forma. Por ky dallim është i rëndësishëm sepse ata me çrregullime ventilatore obstruktive kanë prognozë më të keqe se ata pa obstruksion bronkial.

Çfarë e shkakton atë?

Skematikisht, faktorët etiologjikë të bronkitit kronik mund të ndahen në faktorë ekzogjen dhe endogjen.

Faktorët ekzogjen janë të lidhur me ambientin dhe me zakone e kushte të jetesës dhe të punës. Kryesori është pirja e duhanit, inhalimi i ndotësve ajrorë, infeksioni, refluksi gastroezofageal. Normalisht mekanizmat mbrojtës pengojnë zhvillimin e infeksionit. Pengesa e eliminimit të sekrecioneve si pasojë e ndryshimeve strukturore të mukozës bronkiale dhe të dëmtimit të sistemit të pastimit mukociliar, përbën një terren të përshtatshëm për shumëzimin e bakterieve apo kthimin në virulente të mikroorganizmave, që zakonisht janë saprofite apo rrallë patogjene. Aktiviteti i makrofageve, ndër të tjera, mund të dëmtohet përveç se nga tymi edhe nga mbetja e sekrecioneve dhe bronkokonstruksioni si pasojë e hipoksisë alveolare.

Vazhdimësia e inflamacionit dëmton tërësinë anatomike të rrugëve bronkiale, me shfaqje të hiperemisë dhe edememës së mukozës, infiltrate celulare, trashje të membranës bazale, hiperplazi dhe hipertofi të gjëndrave submukoze, rritje të numrit të qelizave kaliciforme (në formë kupe), pakësim të numrit dhe aktivitetit të cilieve.

Ndër bakteriet përgjegjës më të shpeshtë të riakutizimit të bronkitit kronik, përveç atyre të shpeshtë si Strepocoçus pneumoniae, Staphylocoçus aureus, Enterocoçus, Branhamella catarrhalis, duhet të kujtohen dhe ata për karakteristikat dëmtuese të tyre, speciet e bakterieve proteus dhe Pseudomonas, që shkaktojnë formimin e një substance me aktivitet frenues ndaj α1-antitripsines. Rëndësi ka Haemophilus influenzae, që si dhe mikrobet e tjerë gram negative prodhojnë histamine dhe enzima litike ndaj sIgA; shkaktojnë ndër të tjera diskinezi ciliare, probabilisht si pasojë e çlirimit të një liposaharidi që dëmton epitelin ciliar. Ky rreth vicioz është një nga mekanizmat patogjenetike të bronkitit kronik dhe të dëmtimit të tonusit bronkomotorr.

Faktorë të lidhur me punën, janë të shumtë, jo të gjithë të identifikuar. Mund të përmendet ekspozimi ndaj substancave gazose dhe/ose korpuskulare me prejardhje nga punët me nikel, alumin, etj.

Faktorët endogjen – Aparati respirator zotëron mekanizma komplekse të mbrojtjes ndaj faktorëve të dëmshëm që vijnë nga ambienti i jashtëm. Këto faktorë të jashtëm shkaktojnë dëme kur koncentimi i tyre kalon mundësitë mbrojtëse të aparatit respirator. Shkalla mbrojtëse mundet, për shkaqe gjenetike apo të fituara, të humbasë nivelin e saj të përshtatshëm. Dëmtime gjenetike si pamundësia për sintezën lokale të sIgA, mund të kondicionojë shfaqjen e bronkitit kronik. Në shfaqjen e bronkitit kronik mund të favorizojnë elemente relative të moshës (feminia, senilitet), disa vese (alkoolizmi, toksikodipendenca), sëmundje dobësuese (diabet, kardiopati, nefropati, hepatopati, refluksi gastroezofagial, deficit i përgjithshëm imunologjik), që duke shkaktuar një deficit të sistemit mbrojtës favorizojnë shfaqjen e infeksioneve të përsëritura respiratore. Veçanërisht janë të rëndësishëm infeksionet respiratore në vitet e para të jetës.

Ndër faktorët lokale një vend të rëndësishëm ka gjendja individuale e reaktivitetit bronkial, kur ndaj stimujve të jashtëm reagon në mënyrë të tepruar (hiperaktivitet), i cili mund të jetë aspecifik.

Cilat janë simptomat e bronkitit kronik?

Shfaqjet e para të bronkitit kronik shpesh nuk vihen re apo nënvleresohen nga pacientët, të cilët kolliten dhe sputumin e konsiderojnë “normal” si pasojë e duhanit apo disa profesioneve. Për këtë arsye shpesh pacientet paraqiten tek mjeku kur shenjat e sëmundjes kanë vazhdimësi në kohë apo tendencë përsëritje periodike në rëndim apo kur shfaqet dispnea.

Bronkiti kronik i thjeshtë manifestohet gjatë shumë viteve, me një kollë dhe një ekspektorat mëngjesor mukoz shpesh të toleruar mirë dhe të neglizhuar nga i sëmuri. Pikërisht në këtë stad ka interes të depistohet çrregullimi obstruktiv latent me anën e testeve fiziologjike të duhura.

Anamneza zbulon gjithashtu faktorët favorizues; konsu­min e duhanit duke saktësuar mënyrën, cilë­sin, ekzistencën ose jo të një inhalacioni aktiv; faktorët profe­sionalë ose veçoritë e ambientit, influencën e kushteve klima­tike.

Dispnea mund të vihet re mbas periudhash evolucioni të ndryshme: në fillim lidhur me sforcimin, ajo shkon në mënyrë progresive me kufizimin e lëvizjeve para se të bëhet e vazh­dueshme. Ka rëndësi gjithashtu të saktësohet graviteti i së­mundjes: intensiteti i dispnes, shpeshtësia e mbiinfeksioneve, mungesat në punë dhe ndikimi social-profesional.

trajtimiCilat janë format e trajtimit?

Qëllimi i mjekimit është të zgjidhë shpejt infeksionin, të mbajë interval sa më të gjatë që është e mundur pa infeksion, të zgjedhë një antibiotik me efekte anësore sa më të vogla dhe me një profil kompliance sa më të favorshëm. Në rastin e bronkitit kronik obstruktiv, pjesë e nocionit të SPOK, bëhet trajtim sipas rregullave të menaxhimit tëSPOK-ut.

Është i rëndësishëm shmangja nga faktorët e rrezikut, ku në rradhë të parë është ndërprerja e duhanit.

Bakteriet konsiderohen zakonisht si shkak i acarimeve akute në rreth gjysmën e rasteve. Fakti që rastet e acarimeve si bakteriale apo jo nuk kanë manifestime të ndryshme është një sfidë në lidhje me terapinë antibiotike empirike.

Sa ndikon trashëgimia?

Më tepër se sa për Bronkitin kronik, ka të dhëna, që mbështesin komponentin hereditar në zhvillimin e SPOK-ut. Janë vënë re grumbullim të rasteve me SPOK në familje dhe disa studime kanë evidentuar rritje të incidencës së SPOK-ut në farefisni, krahasuar me grupe të kontrollit. Konkordancë në dëmtimin e funksionit pulmonar është vënë re në binjakët monozigotikë, por nuk ka rezultuar në studimet në binjakët dyzigotike. Është diskutuar për çrregullime të shumta gjenetike, që kontribuojnë në patogjenezën e SPOK-ut (psh alpha1-antitrypsina, alpha1-antichymotrypsin, regulatori transmembranik i fibrozës cistike, proteina lidhëse e vitaminës D, alpha 2-macroglobulina, cytochrome P450 A1, antigjene të grupit të gjakut, human leukocite antiken lokus dhe deficiti i immunoglobulinës). Rëndësia e tyre qëndron jo vetëm në kuptimin më të mirë të mekanizmit të zhvillimit të SPOK-ut, por gjithashtu në identifikimin e objektivave të rinj mjekues dhe të profilaksisë primare dhe sekondare të SPOK-ut. Ka debat biologjik në lidhje me çështjen nature versus nurture (aktivitetit njerëzor). Ky debat në thelb zhvillohet në lidhje me çështjen në se gjeni apo ambienti kanë ndikimin më të madh në jetën e personit. Disa gene ndërveprojnë dhe shkaktojnë ndjeshmëri, por individi mund të ketë gjene që predispozojnë pa pasur asnjëherë simptoma të SPOK. Geni mundet të mos shfaqet asnjëherë për shkak të mungesës së ngacmuesve mjedisorë.

Si mund të parandalohet bronkiti?

Profilaksia dhe trajtimi i acarimeve akute lidhet me sanacionin e vatrave ekzistuese të infeksionit të tilla si: sinuziti kronik që mund të çojnë në acarimin. Për këtë qëllim aplikohet profilaksia e infeksioneve përmes vaksinimit kundër pneumokokut dhe vaksinimi vjetor për gripin.

Në profilaksinë e bronkit kronik përfshihet evitimi i faktorëve të riskut për të prevenuar progredimin, ku masa më e rëndësishme është ndërprerja e përdorimit të duhanit, pasi kjo është mënyra e vetme për të parandaluar zhvillimin dhe progredimin e sëmundjes. Gjithashtu përfshihet edukimi i plotë i pacientit.

Çfarë trajtimi ofron Spitali Continental për trajtimin e këtyre sëmundjeve?

Spitali Continental ofron shërbim të integruar diagnostik dhe kurativ në lidhje me patologjitë e sistemit respirator, përfshirë dhe patologjitë bronkiale. Meqë manifestimet klinike të sëmundjeve pulmonare shpesh janë të ngjashme ka rëndësi vendosja e diagnozës së saktë. Kjo arrihet në bazë të vizitës mjekësore dhe mbështetjes së rezultateve të ekzaminimeve instrumentale, ku aplikohet radiologjia, provat funksionale respiratore si dhe ato endoskopike e laboratorike.

Bisedoi: Elona Tereziu

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit