Ngjarja tragjike e ndodhur ditën e djeshme në autostradën Tiranë -Durrës ku dy të rinj u ekzekutuan në mes të ditës ka tronditur opinionin publik.
Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë nga atentati mafioz edhe pse policia ende nuk i ka sinjalizuar vrasësit.
Gjatë momentit të atentatit,Juxhin Dauti, 27 vjeç ishte në timon kur mbi makinën që drejtonte u zbrazën mbi 30 plumba, 20 nga këto mbi Juxhinin duke e lënë të vdekur në vend dhe pjesa tjetër mbi ish-shefin e krimit Ekonomik Ervin Dalipaj.
Pas një kërkimi në rrjetet sociale, 27-vjeçari duket se ishte mjaft i fshehtë në imazhin e tij, edhe pse për policinë ai ishte i njohur.
Në 2012-ën, Juxhin Dauti u akuzua për vrasjen e Fatjon Banit, ish-kampion i bilardos në Vlorë, ngjarje për të cilën u shpall i pafajshëm nga tre shkallë të gjyqësori.
31-vjeçari Fatjon Bani u ekzekutua me tre plumba në trup, mbrëmjen e 17 marsit 2012 në Vlorë teksa lëvizte me makinën e tij në lagjen “Pavarësia” dhe konkretisht në afërsi të godinës së repartit të zjarrfikësve. Për ngjarjen u dyshua si autor, shoku i tij, Juxhin Dauti, i cili asokohe ishte 22 vjeç.