Shpëtim Hala, senator i universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan ka reaguar pranë redaksisë së JOQ.al në lidhje me rastin e studentes Arjola Muça, e cila u vetëhelmua duke pirë fostoksinë. Të afërmit dhe miqtë e vajzës kanë rrëfyer se shkak i veprimit të saj mund të jetë bërë një notë jokaluese që ka marrë në shkollë.
Në lidhje me këtë Shpëtim Hala ka dhënë versionin e tij. Ai është interesuar në sekretarinë e universitetit dhe siç thotë, vajza rezulton kaluese në të trija lëndët. Ajo ka një mesatare me notën 8 dhe studionte në degën Financë-Kontabilitet.
Reagimi i senatorit Shpëtim Hala.
“Dje nga mediat dhe portalet online, mësova me dhimbje humbjen e jetës së studentes Arjola Muça nga Lushnja. Në radhë të parë dua ti shpreh ngushëllimet më të sinqerta prindërve, familjarëve dhe gjithë të afërmve për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë, në emrin tim personal si anëtar i senatit Akademik të Universitetit Aleksandër Xhuvani dhe në emër të të gjithë studentëve të këtij universiteti. Arjola u nda nga ne përgjithmonë dhe dhimbja është e madhe jo vetëm për familjarët e saj, por për të gjithë ne.
Në media humbja e jetës së Arjolës i është aluduar provimeve të ngelura. Pasi u njoha me fatkeqësinë, në cilësinë e përfaqësuesit të studentëve në senatin akademik, u interesova për provimet e studentes nga Lushnja. Pasi mora informacionin e nevojshëm mbi studenten e vitit të parë dega Financë-Kontabilitet, Arjola Muça, rezulton se i ka marrë të tre provimet e dhëna me një mesatare 8. Edhe njëherë shpreh ngushëllimet e mia familjes. U prefsh në paqje Arjola.
Senatori i universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
Shpëtim Hala”