Detektivja private Shkënda Lili ka folur ditën e sotme për punën e saj, vështirësitë si dhe pagesat në tregun shqiptar. Sa kushton në vendin tonë puna e një detektivi privat për të zbuluar tradhtinë? Është vetëm tema e tradhtisë ajo që preket, apo ka edhe arsye të tjera që mund të paguhet një dedektiv? A janë vërtetuar dyshimet e ngritura nga personat dhe cila është puna konkrete e një detektivi?
Shkënda ka thënë se pjesa më e vështirë për të është të ndjekësh pas një person për një kohë të gjatë dhe ai mos të të kuptojë se po e ndjek. “Dyshimet janë vërtetuar në të gjitha rastet ka thënë ajo”, teksa fliste për investigimet mbi tradhtinë. Detektivja zakonisht merr kohë një muaj për të zbuluar një rast, gjatë të cilit, të qenit i padukshëm për personin që gjurmon, është pjesa më e vështirë. Pastaj vjen edhe faza kur provat e grumbulluara i jepen në dorë personit që ka kontraktuar detektivin.
“Unë u qëndroj afër sepse disa kalojnë në traumë, por ka edhe raste kur e dinë dhe duan thjesht provat, që të përballen me partnerin”, ka thënë ajo. Sesi shkon më pas mes tyre, kjo nuk i takon. Puna e saj mbyllet me dorëzimin e provave, ndërkaq në kontratë janë saktësuar të gjitha rregullat e këtij bashkëpunimi, ku zbulimi i palëve, është rreptësisht i ndaluar dhe gjobitet.
Shoqata e Detektivëve Privatë në Shqipëri ka vendosur rregullat e aktivitetit dhe listën e çmimeve. Paguhet me orë, 20, 25 apo 30 euro, ora sipas vështirësisë së rastit. Një avokat ka thënë në studion e Jonida Shehaj se detektivët shqiptarë tani janë pjesë edhe e Rrjetit të Investigimit Botëror dhe mund të porositen edhe nga klientë që ndodhen jashtë Shqipërisë për të ndjekur një person tjetër që vjen Tiranë duke zbritur në aeroport dhe qëndron disa ditë.
Avokati ka thënë që ka shumë kërkesa edhe nga prindërit për të parë çfarë bëjnë fëmijët e tyre të cilët mund të shoqërohen me persona të rrezikshëm apo t’i hyjnë rrugës së veseve, nga fëmijë të birësuar që kërkojnë prindërit, etj..