Janë publikuar detaje të tjera për mënyrën e jetesës së grabitësve të parave të bankës, grabitje kjo që ndodhi më 9 shkurt në Qafë Kashar teksa paratë po transportoheshin drejt Rinasit.
Kështu, shtëpia e 33-vjeçarit Fation Xhyliu, tashmë i arrestuar, është marrë në ruajtje nga policia si skenë krimi.
Xhyliu jetonte në një apartament luksoz dhe të arreduar mirë, në katin e 5-të të një pallati ë Vorë.
Kjo banesë është marrë me qira nga vëllai i Xhylit, ndërsa interesant është fakti se në këtë pallat nuk banonte asnjeri një kat më sipër apo më poshtë apartamentit të 33-vjeçarit.
Edhe vetë banorët e zonës thonë se nuk i njohin të arrestuarit, duke u shprehur se vetëm i kanë parë disa herë, pa shkëmbyer asnjë përshëndetje me ta, shkruan Balkanweb.
Gjatë mbrëmjes së kaluar në një operacion të shtrirë në disa zona, Vorë, Prezë, Krujë dhe Fushë-Krujë, policia arrestoi 4 nga 6 grabitësit, mes tyre edhe ish-komando që kishin operuar në Afganistan, ç’ka shpjegon edhe saktësinë e tyre operacionale në grabitje.
Në Vlorë u gjetën në një ambient të jashtëm të groposura dy tenxhere me presion të mbushura me kartëmonedha Paund, Dollarë Amerikanë, Australiane, Kanadeze si dhe Euro, ndërsa në Vorë tek servisi i familjes Murataj u gjet një kasafortë me një sasi Eurosh e Dollarë.
Banda e grabitjes në Rinas ka realizuar 2 super grabitje ku morën mbi 7 milion euro, por "parajsa" e tyre e vjedhur zgjati vetëm 14 muaj. Në fund, katër anëtarë nga gjashtë të bandës së Rinasit, përfunduan në prangat e policisë.
