E quajnë Rezarta Hoxha dhe është një 24-vjeçare nga qyteti i Vlorës, e cila mbrëmjen e sotme ishte e ftuar në emisionin e Arian Çanit, ku edhe rrëfeu një pjesë nga jeta e saj si dhe ëndrrën për t’u bërë një këngëtare e njohur në Shqipëri.
Vajza nga Vlora tregoi se gjithmonë e ka pasur ëndërr që të vijonte një shkollë të mirëfilltë të muzikës, pasi ka ndier se zëri nuk i mungonte. Ajo punoi fort për të vijuar studimet në një lice artistik në vendlindjen e saj, por nuk arriti dot të studionte në akademi, duke qenë se familja dhe më konkretisht e ëma, u ndikua nga mendimet e shoqërisë rrethuese dhe mentaliteti i qytetit për vajzat që largoheshin nga familja dhe vijonin studimet në kryeqytet.
Megjithatë, Rezarta nuk u dorëzua dhe arriti të realizonte ëndrrën e saj. Me çiltërsi dhe modesti ajo tregon se sot punon në një ambient me muzikë live në Tiranë dhe se si shumë këngëtarë të tjerë, performon edhe në dasma, ku fitimet, veçanërisht gjatë stinës së verës, janë të majme.
Vajza e tregoi talentin dhe aftësinë e saj në muzikë duke kënduar live në emision një këngë të vjetër vlonjate. Edhe pse prindërit kanë qenë një pengesë në vijimin e ëndrrës së saj, Rezarta gjithsesi i falenderon për çdo moment që kanë qenë pranë saj.