
Dihet që të çdo familja shqiptare ka më shumë shpenzime në fundvit, si pasojë e festave. Kështu, ardhja e Vitit të Ri bën që pensionistët dhe punonjësit të kthejnë sytë jo vetëm nga rrogat, por edhe nga shpërblimet që ata presin të marrin.
Por, duket se nuk ka lajme të mira për punonjësit e administratës, pasi këta të fundit nuk do të shpërblehen me rastin e fundvitit. Këtë lajm e konfirmoi zv. Ministri i Financave Ervin Mete, i cili tha se administratat nuk kanë shpërblim në fundvitit, ndërsa u justifikua duke thënë se “kjo ndodh për shkak të rritjes së rrogave”.
Por, duket se lajme të këqija ka edhe për pensionistët. Këta të fundit janë në mëshirë të fatit, pasi Mete deklaroi se për pensionistët nuk është vendosur ende nëse do të ketë shpërblim, pasi në fillim financa po merret me shlyerjen e borxheve.
“Ne besojmë se shpërblimin ua japim nëpërmjet rritjes së pagave, administratës. Ndërsa për pensionistë do të vlerësohet, por primare kemi që të mos lëmë asnjë detyrim të prapambetur.
Çka do të thotë se ato që janë detyrime nga kontratat, synimi është të shlyhen deri në fund të vitit. Nëse shlyejmë këto dhe kemi sufiçit atëherë do vlerësojmë mundësinë e një shpërblimi për pensionistët…edhe për ne do të ishte i dëshiruar”, tha Mete në studion e “Tv Scan”.