Një breshkë e rrallë është gjetur nga peshkatarët në Lagunën e Patokut. Breshka gjigante ka rënë në rrjetat e peshkatarëve, ndërsa është sjellë në bregdet për t’u studiuar nga biologu Idriz Haxhia i cili thotë se kjo gjallesë është e rrallë në bregdetin tonë sa u përket përmasave dhe peshës rreth 400 kg.
Peshkatarët e lagunës janë habitur nga kjo gjallesë kaq e madhe, pasi rastet e shfaqjes së breshkave në vitet e fundit janë të zakonshme, por kjo breshkë duket se ka thyer rekord. Në vitin 1960, një e tillë është nxjerrë nga deti dhe ndodhet e balsamosur në muzeun e Shkencave të natyrës në Tiranë.
Sipas tij kjo është gjallesë oqeanore dhe ka gjasa se ka ardhur nga zonat e Gjiblartarit, ndërsa biologja Vilma Piroli tha se breshka është e llojit “Dermochelys coriacea” ose ndryshe quhet kurriz-lëkurore. Pasi janë kryer matjet dhe matrikullimi, sërish breshka është hedhur në det, e vëzhguar nga shumë kureshtarë.