Më 20 korrik, ambasada turke në Prishtinë i dërgoi një letër ministrisë së Jashtme të Kosovës, duke i bërë thirrje që të ndërmarrë veprime për komentet e gazetarëve, raporton Gazeta Express.
Ambasada Turke në Kosovë i ka bërë presion Qeverisë së Kosovës që të marrë masa ndaj komenteve të bëra në Facebook rreth puçit në Turqi.
Mediat botërore kanë pasqyruar në faqet e tyre kërkesën e Turqisë për gazetarin e Kosovës. Ka qenë agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, ajo që ka shkruar e para për kërkesën e ambasadës turke në Kosovë.
“I ftoj qytetarët e Kosovës që po gjenden me pushime në Turqi të rreshtohen me ushtrinë”, – ka shkruar Buzhala. Ky koment është bërë me shenjat emoticon, gjë që tregon se komenti nuk ishte serioz. “Ky është grusht shteti më i rëndë që nga ardhja e Facebookut”, ka thënë Buzhala, në një tjetër postim të tij.
Lajmi pastaj ka qarkulluar nëpër media tjera të mëdha botërorë, siç është gazeta e përditshme amerikane, The New York Times, si dhe e përditshmja konservatore britanike, Daily Mail etj.
Letra e ambasadës, e cila është parë nga Reuters, citon një ligj të sapo përditësuar të Kosovës i cili u ndalon qytetarëve të vendit që tu bashkohen konflikteve jashtë shtetit.
Në letër, ambasada po ashtu ka thënë se ligji përcakton se komentet nga njerëzit siç është Buzhala “do të dënohen me dënim me burg prej gashtë muaj deri në pesë vite burg.”
Buzhala ka thënë se nuk është informuar për letrën e ambasadës, por se e ka parë një fushatë online kundër tij nga uebsajtet islamike duke kërkuar arrestimin e tij.
“Kjo demonstron arrogancën e Qeverisë turke ndaj vendeve të vogla siç është Kosova, duke dëshiruar t’i detyrojë ata të nënshtrohen politikisht dhe në gjyqësi, përveç nënshtrimit ekonomik”, tha Buzhala.