Jeta e minatorëve në Shqipëri si minë me sahat: “Ka minë, s’ka minë… Jeton, Vdes…”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.03.2022, 19:58

MINAT-ORË

Sot datë 19-03-2022, dy minatorë humbën jetën në një minierë në Lajthizë ndërsa një i tretë mbetet i humbur, aty në thellësitë e tokës ku oksigjeni është i pakët dhe masivi i tokës është shoqëria e vetme...

Duket sikur minatorët në Shqipëri i kanë orët e numëruara, apo orët e tyre të jetës janë minuar, dhe çdo hap që bëjnë në zgavrat nëntokësore statistikisht është si një lojë e hidhur me fatin... "Ka minë? S'ka minë...", "Jeton! Vdes..."... Fati tundohet me çdo hap...

Kjo kategori punëtorësh me plot të drejtën mund të konsiderohen heronj, por përderisa fatkeqësisht emrat e tyre i shohim vetëm pas betejave fatale me tonelatat e dherave, ne njerëzit e thjeshtë jemi të dytët , pas familjeve të tyre, që mësojmë apo na vjen ndërmend sakrifica, guximi, fuqia e këtyre luftëtarëve që çdo ditë ndeshen dhëmbë për dhëmbë me Titanët Shkëmborë.

Diçka mungon... Ah! Ja tek është! Qeveria na qënkërka këtu!

Familjarët e minatorëve treten në lotë, teksa mësojnë për fatin fund hidhur të të dashurëve të tyre, qytetarët e tjerë ndjejnë një pikëllim momental, ndërsa një mjekrrosh i thinjur sodit nga lart si "Çezar"...

Ndoshta është pak t'i krahasoj me gladiatorë, pasi minatorët nuk ndeshen as me tigra as me luftëtarë të tjerë, por me vetë mëmën Tokë dhe luftën nuk e bëjnë as për famë e stoli, por thjesht për të arritur që të shpënë bukë në shpi...

A po argëtohesh senat? A po argëtohesh "Çezar"? Besoj se jo...

Diç më thotë që nuk sodisni për argëtim, por pritni momentin që dielli të ulë kryet dhe si të babëzitur të bastisni atë çfarë Titanët Shkëmborë lënë pas, nga disfata me minatorët.

Pa shiko ja dhe Keroni, ngërdheshja e të cilit ia skuq faqet flakë, teksa nga njëqind monedha, tre i jep minatorit, dy për varkëtarin e botës së përtejme dhe një që të blejë bukën. Ah, me siguri do shtrojnë banket edhe sonte. Të ftuar specialë, Keroni, Senati dhe sigurisht "Çezari".

Minatori e porosit bukëpjekësin që të gatuajë bukë mbasdite që kur të shkojë në shtëpi dhe ta shtrojë në tavolinë, avulli i sajë të mbush ajrin me lagështi dhe të shkrijë gjakun e trashë të Titanëve Shkëmborë nga fytyra e tij... Buzëqeshjet përreth tavolinës së bukës nga Agimi i vogël dhe nusja Zana, i ngjajnë minatorit si festime të denja për një luftëtar heroik...

Minatori më në fund mbështet kokën në jastëk, "Ahhhh qënka ana e freskët..." Teksa zhytet në thellësitë e ujërave shkumbuese të ëndërrave, në mendje i kumbon një tik tak, një tik tak që së largu prej zgavrës hyrëse të minierës i kujton të bëhet gati për betejën e nesërme. Ky tik tak nuk do linte asnjë të binte në gjumë, por menjëherë në mendje i vegojnë, si për t'i ardhur në ndihmë, buzëqeshjet e familjarëve të tij, që vallëzojnë nëpër avullin e bukës së ngrohtë dhe i qetë fillon e ëndërron, sepse e di për çfarë lufton...

– Çezar! – Po Keron? – Humbëm dy luftëtarë. – Pse na trazon? Do gjejmë të tjerë të mbushin thasët tonë... – E vërtetë Çezar! Sa i zgjuar je! – Sigurisht! Jo më kot, thasët tanë peshojnë me tonë!

Nga E.GJ. për JOQ ALBANIA

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit