Pensionistët mezi shtyjnë muajin, “MARINA BAY LUXURY RESORT” merr 250 milionë lekë tender nga Sigurimet Shoqërore

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.03.2022, 22:28

Gjithmonë e më shumë numri i tenderave të çuditshëm në Shqipëri po rritet në mënyrë të shpejtë. Sasitë e parave që qarkullojnë në këto lloje tenderash ka marrë përmasa të frikshme. Mirëpo nëse deri tani jemi mësuar të shohim kryesisht tendera të dyshimtë nga bashkitë apo institucionet shëndetësore, duket se oreksi për tendera po u shtohet të gjithëve. Në ditën e sotme do t’ju paraqesim një tender të dyshimtë të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Durrës.

Ky institucion ka organizuar një tender me numër reference REF-18794-02-05-2022 dhe me objekt “RIKONSTRUKSION I ZYRAVE TË DRSSH DURRËS”. Fondi limit është caktuar të jetë në vlerën 21,766,061 lekë të reja pa TVSH ose rreth 260 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Nëse hulumtojmë dokumentat përkatëse të këtij tenderi, vihet re se në garë ka marrë pjesë vetëm një kompani. Kuptohet qartë se kemi të bëjmë me një mungesë totale të konkurrencës.

Kompania që ka marrë pjesë ka ofruar vlerën 21,618,702 lekë të reja pa TVSH ose rreth 260 milionë lekë të vjetra me TVSH. Shikohet qartë se përveç faktit që ka garuar e vetme, vlera e ofruar nga kjo kompani është identike me fondin limit të tenderit. Madje për tq qenë të saktë, vlera e ofruar është sa 99.32% e tij. Por cila është kompania në fjalë? Rezulton të jetë firma VALONA KONSTRUKSION në pronësi të shtetasit Besnik Lulaj. Ky i fundit sipas artikujve në media rezulton të jetë partner i vjetër biznesi i Koço Kokëdhimës. Një fakt interesant del nga studimi i kësaj kompanie.

Rezulton se për vetëm pak muaj të vitit 2019 kjo kompani ka bërë dy ndryshime emri. Me date 13.06.2019, u ndryshua emri tregtar nga: "VALONA KONSTRUKSION" ne "MARINA BAY LUXURY RESORT AND SPA" ndërsa vetëm pak muaj më pas date 18.12.2019, u ndryshua emri tregtar nga: "MARINA BAY LUXURY RESORT AND SPA" ne "VALONA KONSTRUKSION". Në një kohë kur pensionistët mezi shtyjnë muajin, “VALONA KONTRUKSION” apo ish-“MARINA BAY LUXURY RESORT & SPA”, merr 250 milionë lekë tender nga Sigurimet Shoqërore. Bukur apo jo?

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit