Skandali/ Celibashi i KQZ kapet ”me presh në duar”, vërtetohet mashtrimi me tenderin për dhomat e fshehta të votimit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.02.2022, 22:13

Ilirjan Celibashi është aktualisht Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Siç dihet në datë 6 mars 2022 do të mbahen zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Shqipëri. Për këtë arsye po bëhen përgatitjet e nevojshme për realizimin e këtij procesi të pjesshëm zgjedhor. Duket se ky është një rast tepër i mirë që Celibashi të shfrytëzojë mundësinë për të futur një dorë të mirë parash në xhep. Dhe si mund ta bëjë këtë? Fare thjesht, duke organizuar tendera të dyshimtë me fitues të paracaktuar.

Nëpërmjet tenderit të mëposhtëm Joq Albania do t’ju tregojë se si Celibashi është kapur “me presh në duar” në një tender për dhomat e fshehta të votimit. Më konkretisht bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me numër reference REF-19767-02-16-2022 dhe me objekt “Prodhim dhoma të fshehta dhe kuti kartoni”. Fondi limit i tij është 1,532,500 lekë të reja pa TVSH ose rreth 18 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Duke studiuar dokumentacionin përkatës të këtij tenderi shikohet se kemi të bëjmë me një procedurë me negocim, pa njoftim. Vihet re se në garë kanë marrë pjesë dy kompani, përkatësisht ADEL SECURITY PRINT me ofertë 1,532,000 lekë të reja pa TVSH dhe Adel CO me ofertë 1,532,400 lekë të reja pa TVSH. Pikërisht këtu zë fill edhe mashtrimi. Të dyja kompanitë kanë në fakt të njëjtin pronar “de facto”.

Bëhet fjalë për Arjan Lleshi, ish-bashkëshortin e ish kryetares së KQZ, Lefteri Lleshi. Pra, i njëjti person ka garuar në një tender të KQZ me dy kompani të ndryshme. Për habi Ilirjan Celibashi e ka lejuar këtë farsë të vazhdojë pasi tenderi ka vijuar në mënyrë të rregullt dhe ka shpallur fituese firmën ADEL SECURITY PRINT. Ky fakt ngre dyshime të forta se fituesi ka qenë i paracaktuar.

Celibashi ka shumë mundësi të ketë marrë “copën e tij të tortës”, e thënë ndryshe, një “dorë të mirë” milionash duke u hequr sikur tenderi ka patur konkurrencë, por që në fakt nuk ka patur fare pasi të dy firmat kanë të njëjtin pronar “de facto”. Tallja më shtetin vijon edhe më tej kur shikon se diferenca mes dy ofertave është vetëm 400 lekë. Ndërsa diferenca mes vlerës fituese dhe fondit limit është vetëm 500 lekë. A duhen më të dhëna të tjera që SPAK të hetojë?

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit