Veliaj lë pa fjalë ariun, ia blen reçelin tek i dënuari për korrupsion

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10.02.2022, 22:50

Erion Veliaj pasi nuk ka lënë të madh e të vogël pa habitur me tenderat e tij, së fundmi duket se ka lënë pa fjalë edhe vetë ariun e Kopshtit Zoologjik. Vetëm pak ditë më parë ju informuam në lidhje me organizimin e një tenderi për të blerë bukë me reçel dhe ushqime të tjera për kafshët e Kopshtit Zoologjik të Tiranës, mes të cilëve dhe ariut. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-17407-01-19-2022 dhe me objekt “Blerje Bukë, Fruta, Perime Për Kafshët E Kopshtit Zoologjik”.

Kjo procedurë e tipit “Marrëveshje Kuadër /E hapur e Thjeshtuar” kishte si fond limit shifrën prej 7,038,737 lëkësh të reja pa TVSH ose gati 85 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Me gjithë këto para Veliaj parashikonte që të blinte artikuj ushqimorë të tillë si buka, reçeli, fruta, perime, bar, drithëra dhe kripë për kafshët e Kopshtit Zoologjik. Duke hulumtuar dokumentacionin përkatës të këtij tenderi shikohet se në garë ka marrë pjesë vetëm një operator. Bëhet fjalë për firmën NELSA SHPK në pronësi të Elsa Kamberi. Kjo e fundit rezulton të ketë lidhje me themeluesin dhe pronarin e parë të kësaj kompanie, Nexhmi Balla.

Po përse kompania ka ndryshuar pronar? Fare e thjeshtë. Sepse Nexhmi Balla bashkë me disa të tjerë ëhstë dënuar nga gjykata për korrupsion në lidhje me ushimet e të burgosurve. Dënimi ka ndodhur në korrik të vitit 2018 ku Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Ballën me 3 vjet burg për korrupsion bashkë me disa persona të tjerë, përfshirë ish-drejtorin dhe ish-nëndrejtorin e burgjeve. PIkërisht për këtë arsye, Balla nuk mund të merrte më tendera dhe ia kalon kompaninë në pronësi të besuarës së tij Elsa Kamberi e cila aktualisht rezulton pronarja me letra e firmës.

Siç dihet kjo është një manovër që e kanë aplikuar shumë persona të dënuar nga drejtësia në mënyrë që të vazhdojnë të marrin përsëri tendera. E thenë shqip, Veliaj i ka dhënë tenderin e ushqimeve të kafshëve të Kopshtit Zoologjik firmës së një të dënuari për korrupsion. A ka marrë vallë veliaj ndonjë rryshfet në këtë rast? E ndërkohë që presim që SPAK të bëjë ndonjë hetim të paktën sa për të thënë, një gjë e sigurt dihet: ariu i gjorë ka mbetur pa fjalë nga gjithë kjo histori.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit