Tenderi gallatë/ Veliaj harxhon 6 miliardë lekë për 2 kilometra pedonale në Liqenin e Farkës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 31.01.2022, 22:05

Të gjithë thonë se Lul Basha fle gjumë, por në fakt duket se më shumë po fle gjumë SPAK. Madje duket se ky institucion ka rënë në gjumin letargjik të dimrit. E pra, në vend që këtë ta bëjë arusha e malit, tek ne e bën SPAK. Themi kështu pasi tenderat e dyshimtë që ia bëjnë “muu” janë të përditshmë. Nuk bëhet fjalë për shifra të vogla por për nivele që shkojnë nga disa qindra milionë në disa miliardë lekë. E megjithatë askujt nuk i hyn “gjemb” në këmbë.

Një rast tenderi me të vërtetë i habitshëm është edhe ky që do t’ju tregojmë në vijim. Bëhet fjalë për Erion Veliaj, lali Lekun e Bashkisë TIranë. Rezulton se ky institucion ka organizuar një tender me numër reference REF-16032-12-21-2021 dhe me objekt “Ndërtim pedonale, pistë vrapimi dhe korsi biçikletash në liqenin e Farkës”. Fondi limit i kësaj procedure prokurimi është 575,731,254 lekë të reja pa TVSH ose rreth 7 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Shihet se në të kanë marrë pjesë 5 garues. Nga këta, njëri prej tyre ka ofruar zero lekë, duke ngjallur dyshime për vërtetësinë e tenderit që në këtë pjesë. Dihet se nuk ka asnjë arsye që një kompani të marrë pjesë në një garë pa ofruar ofertën e saj, përveçse në rastet kur duhet të paraqitet në garë sa për numër. Ndërkaq vihet re se fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Rafin Company” shpk & “Curri” shpk & “V E K O” shpk me ofertë në vlerën 494,718,323 lekë të reja pa TVSH ose rreth 6 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Por kjo nuk është vlera më e ulët që është ofruar në këtë tender. Përkundrazi, një tjetër garues ka ofruar gati 240 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak. Megjithatë Veliaj nuk e ka marrë në konsideratë. Nga ana tjetër vlera e shpallur fituese është mjaft e përafërt me fondin limit të tenderit, në rastin konkret është sa 85.9% e tij.

Por prisni, pasi nuk mbaron gjithçka këtu. Sipas dokumentacionit të këtij tenderi rezulton se shëtitorja e cila do të ndërtohet do të ketë një gjatësi prej 4100 metrash linearë, nga të cilët 2140 metra janë aktualisht të ndërtuara. Kjo do të thotë se këto 6 miliardë lekë do të jepen për të ndërtuar vetëm 2 km të mbetura. Ndërkaq do të shtohet edhe një pistë vrapimi dhe biçikletash.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit