Seanca fillon me përplasje e akuza

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 16.01.2022, 14:15

Dita e dytë e seancës plenare për zgjedhjen e Qeverisë së re ka filluar me kritika nga deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti ndaj kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Dauti akuzon Xhaferin se po shkel Rregulloren e punës së Kuvendit pasi nuk respekton listën e deputetëve që janë paraqitur për të mbajtur fjalim dhe asaj, si koordinatore e grupit parlamentar, i është mohuar një gjë e tillë.

“Do të reagoj me këtë procedurale nga fakti se kisha dy nene te të cilat u thirra kur u paraqita para 10 minutash për të mbajtur fjalim, kurse tani janë bërë tre arsye ta kërkoj këtë procedurale. Kryetari i Kuvendit ka shkelur nenin 88, ku koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe zëvendëskoordinatorëve duhet t’u jepet fjala në momentin kur ata kërkojnë fjalën, dhe jo në momentin kur t’u kujtohet juve. Gjithashtu, fjalë kam kërkuar para se të paraqitej deputetja paraprake. Pika tjetër ku është bërë shkelja është ku thuhet se kryetari ua jep fjalën deputetëve sipas radhitjes në listën për t’u paraqitur për fjalë. Ne, të nderuar, në koordinimin që e patëm para se të fillojë seanca apo diskutimi, bëmë një listë të përbashkët dhe ajo listë ka arritur deri te folësi i 14. Folësi i 15-të ishte deputeti i Aleancës për Shqiptarët. Atij nuk iu dha fjala sepse u ndërpre seanca. Edhe pse u dakorduam të vazhdojë, listën të cilën e dakorduam me kryeparlamentarin, na obligon që sot të vazhdojmë me deputetin ku kemi mbetur. Sot nuk kemi seancë të re, prandaj vazhdojmë me listën e njëjtë”, tha Dauti në foltore, transmeton TV21.

Ajo ka cituar edhe një nen që siç sqaron ndalon ndryshimin e listës së deputetëve të paraqitur për fjalë.

“Tani kemi tre nene që shkelen në mënyrë flagrante nga kryeparlamentari”, tha Dauti më tej dhe kërkoi 5 minuta pauzë që Xhaferi ta shqyrtojë listën.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit