Petkov: Në Shkup nuk do vij me aneks marrëveshje, por për një fillim të ri

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 16.01.2022, 12:18

Kryeministri bullgar Kirill Petkov, i cili të martën vjen në vend për takime me Qeverinë e re, thotë se nuk sjell asnjë aneks të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, por vjen me një ton konstruktiv dhe gatishmëri për një fillim të ri, i cili do të jetë më dinamik, më praktik, i çliruar nga angazhimet e deritanishme deklarative dhe i fokusuar në çështjet e rëndësishme konkrete që prekin jetën e përditshme të qytetarëve të të dy vendeve.

Petkov, i cili është burrështetasi i parë i huaj që e viziton Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjes së Qeverisë së re, në një intervistë për MIA-n flet nëse do të sjellë me vete aneks të marrëveshjes, diçka për të cilën është spekuluar në periudhën e kaluar.

“Jo jo. Vij me një ton konstruktiv dhe gatishmëri që të fillojmë të punojmë së bashku. Nuk kam përgatitur dokument apo diçka tjetër, sepse të gjitha ato dokumente nuk kanë asnjë qëllim, nëse nuk u japim motivim real se duhet ta bëjmë punën. Unë sugjeroj që t’i lëmë dokumentet si hap të dytë dhe të fillojmë së pari, në mënyrë që të ketë diçka për të cilën do të shkruajmë në dokumentin e ardhshëm. Përndryshe, rreziku është se do të shkruajmë një dokument dhe çka pas kësaj. Këtu, detyra është që të bëjmë një program, të bëjmë grupe të punës, të fillojmë dialog, të kemi ndjenjë të besimit reciprok dhe të ketë qëllime të mira nga të dyja palët dhe të vendosim synime, të cilat duam t’i arrijmë sa më shpejt të jetë e mundur”, thekson Petkov për MIA-n.

Kryeministri bullgar, i cili e vlerësoi shumë konstruktive bisedën telefonike që pati me të mandatuarin Dimitar Kovaçevki dhe shprehu besimin se të dy ata si njerëz nga fusha e ekonomisë dhe biznesit kanë energji të ngjashme për t’i çuar gjërat përpara, shprehu shpresën se gjatë vizitës do të bien dakord për krijimin e pesë grupeve të punës – për ekonominë, kulturën, infrastrukturën, integrimin evropian dhe historinë.

Bashkëpunimi dhe fqinjësia e mirë, thotë Petkov, duhet t’I forcojë grupet e interesit në një sferë të caktuar, e jo politikanët. Qëllimi i vizitës, shtoi ai, është që të bëhet një program për takimet e atyre grupeve punuese, të cilat do të takohen me secilin një herë në muaj, me çka do të realizohej përparim për të gjitha çështjet.

“Ne duhet të komunikojmë vazhdimisht, të përparojmë. Shpresat e mia janë që në muajt në vijim realisht edhe atë po përpiqem ta kontraktoj gjatë vizitës sonë, kur të vij do t’i bëjmë ato pesë grupe punuese – për ekonomi, kulturë, infrastrukturë, integrim evropian dhe histori. Unë nuk dua që vetëm politikanët të vijnë dhe të flasin, kur flas për ekonominë dua t’i shoh të gjitha kompanitë tona që duan dhe kanë interes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjitha kompanitë nga vendi juaj që kanë interes në Bullgari. Në atë takim nuk nevojiten politikanët, në atë takim duhen njerëz që duan të punojnë, të bëjnë biznes bashkë”, shton Petkov, i cili thekson se ai personalisht si kryeministër nuk mund ta kuptojë se si ende nuk ka linjë direkte Shkup-Sofje.

Petkov foli edhe për seancën e Këshillit bullgare të sigurisë , e cila u thirr posaçërisht për temën e Maqedonisë së Veriut dhe për atë se krijohet përshtypja se shteti fqinj i Bullgarisë është problemi më i madh i sigurisë gjatë pandemisë, krizës energjetike, përkeqësimit të raporteve ruso-ukrainase. Ai në intervistën për MIA-n, u përqendrua edhe në afatet, afatin e paracaktuar gjashtëmujor për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, dhe tani pas Këshillit konsultativ të sigurisë për qëndrimin e shprehur nga presidenti bullgar Rumen Radev se nuk nevojiten afate, por nevojiten rezultate reale.

“Në fakt, mundemi gjatë kohës që do ta përfundojmë punën tonë. Unë dua ta them këtë. Pra, tani nëse them një afat të caktuar, gjashtë muaj, ne fillojmë me të njëjtat prononcime. Duhet të shohim se cilat janë çështjet, si do t’i zgjidhim. Afati varet vetëm nga gatishmëria e secilës palë për të shtrënguar duart dhe për të përfunduar punën së bashku”, thotë Petkov.

Kryeministri bullgar në intervistën për MIA-n, theksoi se ka gjëra të lehta, por edhe më të vështira dhe më të ndjeshme që duhet të adresohen.

“Mendoj se një qasje miqësore, konstruktive duhet të jetë në gjendje të zgjidhë tema të lehta dhe të vështira. Por, për këtë më e rëndësishmja është që të kemi besim dhe shpresoj se do ta ndërtojmë atë besim me gjërat që i bëjmë së bashku”, tha Petkov, i cili shtoi se me një dialog konstruktiv të gjitha ato çështje janë të zgjidhshme.

Petkov në intervistën për MIA-n, foli edhe për forcat destruktive si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Bullgari, të cilat synojnë drejt ngecjes prapa dhe të punojnë kundër fqinjësisë së mirë, luftës kundër korrupsionit në vendin e tij, por edhe në një kontekst më të gjerë në rajonin e Ballkanit.

“Ne duhet t’i pastrojmë të gjithë ata që fitojnë në kurrizin e popujve tanë. Sepse ka një grup të vogël njerëzish që fitojnë para përmes korrupsionit në kurriz të gjithë të tjerëve. Edhe unë mendoj se ata janë pjesë e elementeve shkatërruese që janë të lidhura dhe që shtrojnë pyetjen nëse fqinjësia e mirë midis dy vendeve është apo jo e mirë”, tha Petkov.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit