Qindra serbë të Kosovës udhëtojnë drejt Serbisë për të votuar në referendum

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 16.01.2022, 11:16

Me qindra qytetarë serbë të Kosovës po kalojnë kufirin në Serbi për të marrë pjesë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës.

Në orët e para të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut është mbajtur një protestë e serbëve, drejtuar nga kreu i Listës Serbe, njëherësh ministër në qeverinë “Kurti”, Goran Rakiç.

Ai ka bërë të ditur se kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Rakiç bëri me dije se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqit dhe Zveçanit, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Ndërkohë një pjesë e protestuesve që kërkonin të lejohet votimi në referendumin e Serbisë kanë improvizuar sikur janë duke votuar për këtë referendum.

Në pikën kufitare Jarinjë janë parë forcat Speciale të Policisë së Kosovës të gatshme për të ndërhyrë në rast nevoje, shkruan Express.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar organizimin e referendumit të Serbisë në territorin e saj. Gjatë seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës votoi me 76 vota pro rezolutën që ndalonte organizmin e referendumit në Kosovës.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit