U arrestua për falsifikim dokumentesh, vëllai i Sheilës punonjës i Gardës: I shiti pasaportë “fallso” një agjenti të infiltruar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.01.2022, 16:02

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e Henri Haxhiraj, i cili u arrestua ditën e djeshme si pjesë e një bande që falsifikonte dokumente në këmbim të parave. Sipas "OraNews", Henri Haxhiraj i cili është vëllai i këngëtares Sheila Haxhiraj është edhe efektiv i Gardës së Republikës, por që tashmë është shkarkuar nga detyra. Gjatë hetimeve është zbuluar se Haxhiraj ishte pjesë e një grupi të strukturuar që prodhonte pasaporta dhe dokumenta të falsifikuara për të gjithë ata persona që donin të udhëtonin drejt SHBA-së dhe BE-së.

Nga hetimet është zbuluar se njeriu kryesor i kësaj skeme ka qenë shtetasi Pertef Musabelli, babai i Alfred Musabelliut i cili mbeti i vrarë në qytet Studenti nga Kostandin Xhuvani. Të arrestuar në lidhje me këtë skemë kriminale janë edhe shtetasit Arjan Refugjati dhe Erigesji Moriga. Në dosjen hetimore thuhet se Musabelli, kishte të gjithë logjistikën e laboratorit për krijimin e dokumentave false dhe mbante kontaktet me persona të tjerë, që siguronin pagesat dhe klientelën. Mësohet se Musabelli së bashku me Haxhirajn i cili ishte punonjës i Gardës shërbenin si koordinatorë të kësaj skeme ku fitoheshin mijëra euro. Ka qenë një agjent i policisë që ka arritur të zbulojë skemën që përdornin këta shtetas për falsifikimin e dokumentave pasi ka blerë disa dokumente me urdhër dhe dijeni të policisë.

Gjatë operacionit është zbuluar një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj. Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit