Europa shënoi rastin e parë, çfarë është varianti i ri i Covid i zbuluar në Afrikën e Jugut?

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 27.11.2021, 01:03

Disa shtete nga e gjithë bota kanë reaguar të shqetësuar në lidhje me variantin e ri të Covid të identifikuar në Afrikën e Jugut. Edhe BE, Britania e Madhe dhe India janë në mesin e vendeve që kanë marrë masa për parandalimin e përhapjes së këtij mutacioni të Covid. Përveç Afrikës së Jugut, varianti i sapo identifikuar është zbuluar në Botsvanë, Hong Kong dhe Belgjikë. Duket se po përhapet me shpejtësi në pjesë të Afrikës së Jugut dhe shkencëtarët janë të shqetësuar se numri jashtëzakonisht i lartë i mutacioneve mund ta bëjë atë më të transmetueshëm.

Çfarë dimë për variantin e ri

Lawrence Young, një virolog dhe profesor i onkologjisë molekulare në Shkollën Mjekësore Warwick në Mbretërinë e Bashkuar, tha se varianti Omicron ishte "shumë shqetësues". "Është versioni më i mutuar i virusit që kemi parë deri më sot. Ky variant mbart disa ndryshime që i kemi parë më parë në variante të tjera, por kurrë të gjitha së bashku në një virus. Ai gjithashtu ka mutacione të reja," tha Young në një deklaratë.

Më 24 nëntor, shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë informuar qeverinë se janë të shqetësuar nga ajo që kanë parë dhe i kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që të formojë një grup teknik për të vlerësuar evoliumin e virusit. Ky shtet ka identifikuar rreth 100 raste me këtë variant, kryesisht në provincën Gauteng.

A është identifikuar diçka tjetër?

Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se shenjat e hershme nga laboratorët tregojnë se virusi është përhapur me shpejtësi në Gauteng dhe mund të jetë prezent edhe në tetë provinca tjera. Shkalla ditore e infektimit është pothuajse dyfishuar më 25 nëntor, duke shkuar në 2,465. Botsvana ka identifikuar katër raste, të gjithë të huaj që kanë arritur atje me mision diplomatik dhe tani janë larguar nga shteti.

Në Hong Kong është raportuar një rast, një tjetër në Afrikën e Jugut dhe të tjera raste në Izrael, që janë kthyer në Malavi. Në testet PCR, ky variant dallohet lehtë nga ai Delta, që deri më tani ka qenë variant dominues në botë.

Pse shkencëtarët janë të shqetësuar?

Të gjitha viruset duke pëfshirë koronavirusin, ndryshojnë pas një kohe. Shumica e ndryshimeve kanë pak ose aspak ndikim në vetitë e tyre. Megjithatë, disa ndryshime mund të ndikojnë në atë se sa lehtë përhapet një virus, sa i ashpër është dhe sa ndikojnë vaksinat ndaj tij. Mirëpo, varianti i ri është thënë se ka më shumë se 30 mutacione në proteinën që viruset e shfrytëzojnë për të hyrë në qelizat e njeriut, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar.

Numri i mutacioneve është dyfish më i madh në krahasim me ato që ka Delta, çka e bën këtë virus shumë më ndryshe prej virusit origjinal, për të cilin është raportuar fillimisht në Vuhan të Kinës dhe për të cilin janë krijuar vaksina. Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se disa mutacione janë të lidhura me rezistencë ndaj antitrupave neutralizues dhe përhapje më të madhe, mirëpo të tjerët kanë thënë se nuk i kanë të qarta ndikimet e mundshme, andaj ende nuk ka një fjalë të fundit.

Burimi: CNN | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit