OBSH emërton variantin e ri afrikan të Covid, e quan “Omicron”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.11.2021, 23:57

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vendosur ta quajë "Omicron" variantin e ri të Covid që u shfaq për herë të parë në Afrikën e Jugut më 24 nëntor.

OBSH ka konfirmuar se varianti i ri i Covid ka një numër të madh mutacionesh dhe mund të riinfektojë personat që e kanë kaluar.

Varianti "Omicron" u konfirmua së fundmi edhe në disa vende të tjera, si Botsvanë, Belgjikë, Hong Kong dhe Izrael.

Kjo ka bërë që disa vende të ndalojnë udhëtimet nga Afrika e Jugut.

Tashmë dihet që nuk është diçka e pazakontë që një virus të pësojë mutacione me kalimin e kohës. Një variant mund të bëhet shqetësues kur mutacioni i tij mund të ndikojë në transmetueshmëri, virulencë dhe efektivitetin e vaksinave.

Një një deklaratë të bërë të premten, OBSH tha se numri i rasteve të këtij varianti po rritet në pothuajse të gjitha provincat e Afrikës së Jugut.

OBSH ka theksuar se do të duhen disa javë për të kuptuar ndikimin e variantit të ri, pasi shkencëtarët po studiojnë transmetueshmërinë e tij.

Britania e Madhe, vendet e BE-së dhe Zvicra kanë pezulluar përkohësisht fluturimet nga disa vende të Afrikës Jugure.

Tregjet e aksioneve në të gjithë botën gjithashtu ranë ndjeshëm të premten, duke ngritur frikën e investitorëve mbi ndikimin e mundshëm ekonomik.

Burimi: BBC|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit