Franca anulon bisedimet me Anglinë për çështjen e emigrantëve

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 26.11.2021, 12:35

Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin i tha homologes së tij britanike Priti Patel se ajo "nuk ishte më e mirëpritur" në bisedimet e fundjavës në lidhje me çështjen e emigrantëve. Anulimi i takimit ka ardhur pas letrës së kryeministrit britanik Boris Johnson drejtuar presidentit të Francës Emmanuel Macron. Si pasojë e përshkallëzimit të krizës politike, pas vdekjes së 27 personave duke kaluar Kanalin Anglez, Darmanin ka thënë se Franca është zhgënjyer nga letra.

“Publikimi i letrës e bën situatën edhe më të keqe”- tha ai. Përmbytja e gomones të mërkurën, ka regjistruar incidentin me numrin më të madh të viktimave në Kanalin Anglez, duke përfshirë 17 burra, shtatë gra, njëra prej tyre shtatzënë dhe tre fëmijë. Kryeministri Johnson ka thënë në letër se një marrëveshje me Francën për të marrë migrantët që e kanë kaluar Kanalin përmes kësaj rruge të rrezikshme, do të kishte ndikim të menjëhershëm.

Franca kishte bërë thirrje për takimin shumëkombësh sepse beson se shumica e emigrantëve që kalojnë kanalin e nisin udhëtimin e tyre diku tjetër në BE, pas përpjekjeve të bashkërenduara në vitet e fundit për të mbyllur kampin e emigrantëve dikur famëkeq "Xhungla" në qytetin port të Calais.

Raportet mes Britanisë dhe Francës janë tensionuar vitet e fundit, kryesisht si rezultat i procesit të Brexit. Të dy vendet janë përplasur vazhdimisht për çështje që përfshijnë të drejtat e peshkimit, çështjet tregtare dhe kontrollin kufitar. Peshkatarët francezë pritet të bëjnë sot një bllokadë të porteve të trageteve në Kanalin Anglez dhe të përpiqen të ndalojnë mallrat që hyjnë në Kanlin e La Manshit në shenjë proteste ndaj të drejtave të tyre të peshkimit në ujërat britanike.

Burimi: DW | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit