Kuvendi miraton buxhetin e vitit 2022

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 25.11.2021, 15:22

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës u miratua buxheti prej 2 miliardë e 748 milionë Euro për vitin 2022.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, tha se po e mbyllim vitin me një rritje ekonomike rreth 10% dhe me një rritje të hyrave prej 33%, që janë rezultat i qeverisjes së mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Për herë të parë po e votojmë një buxhet, që është tërësisht i yni, u shpreh kryeministri Kurti, e që ka ndarje buxhetore për projekte të maturuara e me qëllime zhvillimore, që ngërthen në vete një plan të ringjalljes ekonomike që ndihmon ata që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe fuqizon gratë e prodhimin vendor, një buxhet i cili sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete.

“Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

Dje kishim mbledhjen e 45-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërkaq pardje janë mbushur tetë muaj që jam në detyrë, me ç ‘rast janë marrë 394 vendime deri më tani dhe mund të them se Ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje ekonomike më të lartë sesa në vitin 2021. Do ta mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike rreth 10% dhe me një rritje të të hyrave prej 33%. Të dyja këto si rezultat i një qeverisjeje të mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e vendit, e veçanërisht për Qeverinë.

Vitin që po lëmë pas e gjetëm me borxhe e me projekte të dëmshme për vendin:

Kemi anuluar vendimin për shpronësimet në autostradën e Dukagjinit, segmenti Kijevë-Zahaq, e cila sipas raportit të auditorit doli se kishte fryrje të çmimeve; kemi gjetur ndarje buxhetore nëpër projekte kapitale të pamaturuara në një kohë pandemie e në anën tjetër shkurtime buxhetore pikërisht për institucionet shëndetësore, si SHSKUK e Ministria e Shëndetësisë – mungesë buxhetore për barna esenciale; kemi gjetur një program të rimëkëmbjes ekonomike, i cili ka ndihmuar pikërisht ata që janë prekur më së paku nga pandemia; e të tjera të ngjashme.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit