E ngacmoi teksa ajo i pastronte shtëpinë, shqiptarja vret me thikën e kuzhinës italianin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.11.2021, 15:24

E goditi me thikë kuzhine si reagim për ngacmimet seksuale. Kjo ishte dinamika e vrasjes së ndodhur në lagjen Sant’Andrea në Novara, me autore një grua shqiptare e cila është arrestuar me akuzën e vrasjes me dashje. 51-vjeçarja Mide Andreu e martuar e me fëmijë, prej tre vitesh punonte si sanitare në shtëpinë e Antonio Amicuccit. Ndërkohë, ajo i ka thënë karabinierëve se 68-vjeçari e preku me duar dhe nuk ishte hera e parë që e bënte.

Që aty pati zanafillën sherri, gjatë të cilit 51-vjeçarja rrëmbeu një thikë kuzhine dhe e goditi disa herë në gjoks Amicuccin. Më pas, me lot në sy vrapoi te fqinja duke i treguar që e kishte goditur me thikë e duke i kërkuar të thërriste ndihmën. Edhe pensionisti, ende i vetëdijshëm, telefonoi urgjencën. Megjithatë, mbërritja e ndihmës dhe e karabinierëve ishte e kot, pasi Amicucci ndërroi jetë.

Ai banonte në një apartament në katin e dytë i vetëm, pasi ishte i ndarë. Amicucci kishte “koleksionuar” një seri denoncimesh për ngacmim e përndjekje nga ish-gruaja dhe e bija, çka i solli edhe një periudhë burgosjeje. Ndërkohë, prej pak vitesh ai jetonte në Novara dhe rrallë dilte, për shkak të problemeve me shëndetin.

Pavarësisht historikut të viktimës, karabinierët dhe gjyqtari që morën në pyetje shqiptaren e vendosën atë në arrest me burg. Sipas prokurorit, gruaja kishte reaguar në mënyrë impulsive, duke e goditur shumë herë me thikë. Disa nga plagët ishin të lehta, të tjera kishin prekur organe jetësore, ndërkohë që autopsia do të përcaktojë se cila ishte goditja fatale.

Burimi: www.novaratoday.it| Përktheu dhe përshtati: JOQ ALBANIA

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit