Ndoqi dhe shpërndau serialin “Squid Game”, studenti në Korenë e Veriut dënohet me vdekje

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.11.2021, 14:54

Është e paligjshme të posedosh, të shikosh ose të shpërndash serialin Squid Game në Korenë e Veriut. Një student që ishte kthyer nga Kina dhe kishte shitur kopje të serialit me USB është dënuar me vdekje pasi u kap nga shërbimet e mbikëqyrjes së vendit. I riu është ekzekutuar me pushkatim nga një grup vrasës, ashtu siç ndodh edhe me personazhet në serialin aksion-thriller. Radio Free Asia raportoi se një student që bleu një kopje të serialit është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa gjashtë të tjerë që ndoqën serialin janë dënuar me pesë vjet punë të rëndë.

Koreja e Veriut ka një ndalim të rreptë për lejimin e materialeve nga Perëndimi dhe Koreja e Jugut në vend dhe zyrtarët tani po kryejnë kontrolle në shkollën e studentëve për të gjetur materiale të tjera. Disa mësues thuhet se janë pushuar nga puna ose mund të dëbohen për të punuar në miniera të largëta si ndëshkim.

Seriali koreano-jugor, i cili aktualisht është shfaqja më e transmetuar në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, përqendrohet rreth një shfaqjeje imagjinare lojërash në të cilën personazhet e goditur nga varfëria konkurrojnë në një seri lojërash vdekjeje për të fituar një çmim 27 milionë funtesh.

E gjitha filloi javën e kaluar kur një nxënës i shkollës së mesme bleu fshehurazi një USB që përmbante dramën koreano-jugore Squid Game dhe e pa atë me një nga miqtë e tij më të mirë në klasë.

Dyshja diskutuan për serialin me miqtë që u interesuan dhe blenë kopje prej tij. Arrestimi i shtatë studentëve shënon herën e parë që qeveria po zbaton ligjin e sapo miratuar për ‘Eleminimin e Mendimit dhe Kulturës Reaksionare’, në një rast që përfshin të mitur. Ligji parashikon një dënim maksimal me vdekje për shikimin, mbajtjen ose shpërndarjen e mediave nga vendet kapitaliste, veçanërisht nga Koreja e Jugut dhe SHBA.

Burimi:dailymail Përktheu dhe përshtati:JOQ ALBANIA

Një foto nga "Squid Game" tregon rojet që ecin lart shkallëve.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit