Sektori publik në periudhë të shkurtër kohore do të paguajë detyrimet ndaj sektorit privat

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.11.2021, 18:29

Do të zvogëlohet afati me të cilin sektori publik mund të paguajë detyrimet ndaj sektorit privat. Me Propozim ndryshimet lidhur me Ligjin për disiplinë financiare të përgatitura nga Ministria e Financave, parashikohet zvogëlimi gradual i afatit për pagimin e detyrimeve të subjekteve të sektorit publik, llogaritë e të cilave janë në kuadër të Llogarisë së thesarit të Ministrisë së Financave nga 60 ditë në 30 ditë dhe zvogëlimi i afatit për pagesën e detyrimeve të subjekteve nga sektori publik, llogaritë e të cilave janë në kuadër të Llogarisë së thesarit të Fondit për sigurim shëndetësor të Maqedonisë nga 90 ditë deri në 60 ditë.

Në Propozim ligjin e publikuar në RVNE, propozohet që duke filluar nga muaji janar i vitit 2023, afati për shlyerjen e detyrimeve financiare të subjekteve të sektorit publik, llogaritë e të cilave janë në kuadër të Llogarisë së thesarit të Ministrisë së Financave të jetë 50 ditë, nga muaji janar i vitit 2024 – 40 ditë dhe nga muaji janar i vitit 2025 të jetë 30 ditë. Ndërkaq, afati për pagesën e detyrimeve të subjekteve të sektorit publik, llogaritë e të cilave janë në kuadër të Llogarisë së thesarit të Fondit për sigurim shëndetësor të Maqedonisë, propozohet që duke filluar nga muaji janar i vitit 2023, afati për shlyerjen e detyrimeve financiare të këtyre subjekteve të jetë 80 ditë, nga muaji janar i vitit 2024 – 70 ditë dhe nga muaji janar i vitit 2025 – të jetë 60 ditë.

Ndryshimet janë harmonizuar me afatet për përmbushjen e detyrimeve financiare në përputhje me Direktivën lidhur pagesën e vonuar.

Në Ligjin aktual për disiplinë financiare është përcaktuar që në transaksionet afariste ndërmjet subjektit nga sektori publik dhe operatorit ekonomik nga sektori privat, në rastin kur subjekti i sektorit publik paraqitet si debitor, nuk mund të caktohet afat më i gjatë se 60 ditë për përmbushjen e detyrimeve financiare.

Gjithashtu është përcaktuar se në transaksionin afarist, kur Fondi për sigurim shëndetësor të Maqedonisë dhe shfrytëzuesit e mjeteve nga Fondi për sigurim shëndetësor të Maqedonisë, institucionet publike shëndetësore dhe institucioni publik nga sfera e shëndetësisë për nevojat e institucioneve publike shëndetësore, klinikave universitare, enti dhe qendra emergjente paraqiten si debitorë, nuk mund të caktojnë afat më të gjatë se 90 ditë për përmbushjen e detyrimeve financiare.

Ligji për Disiplinë financiare ka hyrë në fuqi që nga muaji maj i vitit 2014 dhe siguron arkëtim të sigurt të kërkesave dhe siguron likuiditet për kompanitë.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit