JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Mesazh i fortë i Ramës ndaj Veliajt/ Çon Bela Ballukun t’i dalë për zot punëve të Tiranës
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 22/10/2021 7:45

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Edi Rama i ka dërguar një sinjal të fortë Erion Veliajt, se ai mund të mos jetë kandidati i PS për Tiranën në zgjedhjet e ardhshme lokale, kurdo qofshin ato. Nuk dihet nëse mes kryeministrit dhe benjaminit të tij ka ndonjë mosmarrëveshje për momentin, por mënyra brutale me të cilën kryebashkiaku është shpërfillur nga funksionet e tij, të bën të mendosh se Rama ka dashur t’i çojë një mesazh të qartë dhe të fortë.

Për këtë ka përdorur Belinda Ballukun, ministrja e cila prej kohësh është përfolur si njeriu me ambicien dhe përgatitjen e duhur për t’u ulur në karrigen e Erion Veliajt, mandatin e radhës.

Terreni i krijuar për Belinda Ballukun është krijuar nga një mosmarrëveshje e Bashkisë me operatorët e transportit. Prej disa ditësh, stacionet e autobuzëve në Tiranë janë shndërruar në pika grumbullimi të qindra qytetarëve që presin autobuzët e rrallë në qarkullim. Lëvizja brenda Tiranës është shndërruar në torturë për shtresën më të varfër të popullsisë, që nuk ka mundësi të lëvizë me makinë.

Operatorëve e transportit ndërqytetas po punojnë me 50% të kapaciteteve, pasi kërkojnë kërkojnë heqjen e akcizës për naftën, indeksim të çmimit të konsumit të naftës dhe zbritjen e TVSH-së në 6%.

Ndërkohë që kjo po ndodh, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, është duke shijuar një vizitë në Izrael. Është në Tel-Aviv për disa takime, ku thotë se po shkëmben pikëpamjet për disa mekanizma inovative me homologun e tij izraelit. Dhe ndërsa Veliaj shpërndan buzëqeshje nga Tel-Avivi, Belinda Balluku i ka dalë për zot punës që i takonte Veliajt.

Pasditen e së enjtes, ajo u shfaq në një takim me operatorët e transportit, për të dëgjuar ankesat e tyre. Që në krye të tryezës e dërgoi Edi Rama, Belinda Balluku e sqaroi që në fillim, kur tha: “Me kërkesë të kryeministrit vëmëndja do të jetë maksimale ndaj operatorëve të transportit, qoftë ato që operojnë në zonën qytetase, qoftë ato që operojnë në zonën ndërqytetase”.

Në mungesë të Veliajt, Balluku foli edhe në emër të Bashkisë së Tiranës. “Bashkia e Tiranës ndan të njëjtin pozicion me ne”tha e dërguara e Ramës, ndërsa në krahun e majtë i qëndronte i heshtur Arbian Mazniku me zyrtarë të tjerë të Bashkisë së kryeqytetit, raporton Lapsi. Vetë Balluku nuk e fshehu problemin që ka lënë pas vizitori i Tel-Avivit. Ajo foli për një situatë “të agravuar” në kryeqytet, ndërsa tha se do të angazhohej personalisht për ta zgjidhur. Edhe kritikat e operatorëve të transportit për Erion Veliajn që kishte refuzuar t’i dëgjonte u pritën me qetësi nga Balluku, e cila transmetoi gjithçka live nga profili i saj në Facebook.