JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Armë, plagosje dhe granata/ Dyshohet se Policia e Kosovës u sulmua në lokalin e një shqiptari
Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 13/10/2021 18:58

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Policia e Kosovës ka dhënë versionin zyrtar në lidhje me aksionin e mëngjesit të sotëm në veri të vendit. Sipas njoftimit të Policisë qëllimi i aksionit ishte luftimi i kontrabandës së mallrave në disa zona. Por situata u tensionua pasi hasën në rezistencën e grupeve kriminale të cilët bllokuan rrugët me mjete të ndryshme.

Për të penguar policinë ata përdorën edhe armë zjarri dhe për pasojë mbetën të plagosur dhjetë efektivë policie me lëndime në trup, shtatë prej tyre shqiptarë dhe tre zyrtarë serbë. Në përfundim të operacionit u bë i mundur arrestimi i tetë personave për kontrabandim mallrash, ndërsa dhjetë të tjerë janë shpallur në kërkim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u shpreh se ka dyshime për rrjedhje të informacionit për operacionin e sotëm dhe se po hetohet lidhur me të. "Lokalin që e keni parë të gjithë, barnatoren ku u sulmuan policët është një lokal i një shqiptari që jeton dhe punon në Mitrovicën e Veriut. Është i njohur për veprimtari kriminale dhe është në kërkim. Pjesëtari i lënduar në protestat e sotme është një qytetar që ka precedent penal. Në 2011 është akuzuar për vjedhje të rëndë"- tha Mehmeti.

Njoftimi i policisë:

Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion dhe qytetarëve të asaj zone”, thuhet në njoftimin e policisë. Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, është raportuar se (10) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (7) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (3) zyrtarë te nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar. “Si rezultat i veprimeve profesionale të zyrtarëve policorë deri në këtë fazë janë arrestuar dhe shoqëruar tetë (8) persona të dyshuar për kontrabandim me mallra, dhe (10) persona tjerë të dyshuar janë shpallur në kërkim policor.Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”, thekson më tej policia.