Ndonëse supozohet se institucioni i Avokatit të Popullit është krijuar për të mbrojtur popullin, duket se edhe ky është bërë palë me ata që në fakt “ia fusin” popullit. Rezulton se institucioni i Avokatit të Popullit ka harxhuar gati 26 milionë lekë të vjetra me TVSH nga taksat e popullit shqiptar në një tender të dyshimtë. Ky institucion "është ngritur një mëngjes nga gjumi" dhe befas ka kuptuar se i duhen në të njëjtën kohë plot 18 kompjutera desktop dhe 2 laptopë.
Jo vetëm kaq, por lista vazhdon më tej edhe me disa kërkesa të tjera. Avokatit të Popullit përveç kmpjuterave të mësipërm iu dashkan edhe 14 copë UPS, 6 copë printera me ngjyra, 2 copë printera “All in one” dhe 1 copë fotokopje me ngjyra. Ndonëse nuk kuptohet se përse këtij institucioni i nevojitet një numër kaq i madh pajisjesh në të njëjtën kohë, gjithsesi problemi i vërtetë nuk është këtu. Kleçka qëndron në faktin se tenderi është bërë pa konkurrencë fare pasi në të ka marrë pjesë vetëm një kompani.
Bëhet fjalë për PC STORE në pronësi të Elton dhe Vitator Mehmeti e cila ka hyrë në garë duke paraqitur ofertën e saj në vlerën 2,182,400 lëkë të reja pa TVSH ose rreth 26 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke qenë oferta e vetme në këtë tender, kjo firmë është shpallur natyrisht edhe fituese. Vlen të theksohet se siç ndodh rëndom në të tilla raste të dyshimta, vlera fituese e tenderit është thuajse identike me fondin limit të tij. Në rastin konkret vlera fituese është sa 98.52% e këtij fondi. Bazuar në sa më sipër, a do ta arrestojë SPAK drejtuesen e këtij institucioni, Erinda Ballanca?