JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Këshilli i Lartë Gjyqësor blen pa konkurrencë makina të 2021 nga Dulakët
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10/08/2021 22:37

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Çudira shqiptare miq! Fund e krye! Rasti në fjalë është tipikisht një çudi nga ato me Ç të madhe, madje është edhe një meme e gatshme. Shifra e këtij tenderi ndoshta mund të mos jetë shumë e lartë krahasuar me shifrat me të cilat mund të jeni mësuar, por në vetvete është një gallatë e madhe. Bëhet fjalë për vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë i cili supozohet më sa paku të kontribuojë për një drejtësi sa më të barabartë. Por në fakt duket se ka ndodhur e kundërta.

Ky institucion ka organizuar një tender që mban numrin e referencës REF-01238-07-19-2021 dhe ka si objekt “Blerje automjete për nevoja të Këshillit të Larte Gjyqësor”. Fondi limit i tij është 4,166,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 50 milionë lekë të vjetra me TVSH. Deri këtu gjithçka duket normale pasi çdo institucion ka nevojë për automjete për të kryer detyrat e ndryshmë operacionale. Por nëse thellohemi në dokumentacionin e këtij tenderi si dhe në specifikimet teknike, do të përballemi me çudira.

Kështu së pari shikohet se ky tender ka një mungesë totale të konkurrencës. Kjo pasi në të ka marrë pjesë vetëm një kompani, përkatësisht ALBANIA MOTOR COMPANY me vlerë të ofruar 4,080,000 lekë të reja pa TVSH. Kjo kompani rezulton të jetë në pronësi të vëllezërve Artan, Adrian dhe Genci Dulaku. Siç mund të merret me mend lehtësisht, duke qenë pjesëmarrësja e vetme, ALBANIA MOTOR COMPANY është shpallur fituese.

Ndërkaq rezulton se vlera e ofruar prej saj është thuajse identike me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 97.93% e tij. Nga ana tjetër nëse shohim të dhënat e mjeteve, vihet re se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kërkesa luksi për këto mjete. Mësohet se automjetet duhet të jenë prodhim i vitit 2021 dhe me zero kilometra, marshe automatike, drita LED, disqe alumini, drita mjegulle, ajër i kondicionuar, pasqyra elektrike, sedilje me rregullim etj. Nuk dihet ndërkohë nëse SPAK do të marrë në konsideratë të bëjë ndonjë hetim për këtë tender të organizuar nga “kolegët”.