JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Vjedhje masive te “Koço Gliozheni”, fiton firma që ofron 700 milionë më shumë për larje çarçafësh
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16/07/2021 22:37

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Gjakpirësit e shëndetësisë vazhdojnë ende të mbërthejnë për fyti me kthetrat e tyre këtë shtet të shkretë që është katandisur ku të thërret qameti. Janë thuajse të pafundme tënderat e parregullt e më sa paku të dyshimta, që publikojmë përditë e që duket se askush nuk e vret mendjen. Ndonëse tek-tuk raportohet në media për kapjen e ndonjë peshku të vogël që nuk i hyn më në punë “ustallarëve”, janë peshkaqenët e mëdhenj ata që i hanë përditë e më shumë llokmat e parave publike të Shqipërisë. E njëra nga fushat ku vjedhjet me tenderat kryhen në mënyrë galopante është mjekësia e drejtuar nga Ogerta Manastirliu.

Rasti më i fundit është një tender tepër i dyshimtë, madje me përmasa skandaloze. Në fakt nuk dihet se çfarë duhet më tepër që i gjithë zinxhiri drejtues i spitalit bashkë me Ogertën të përfundojnë pas hekurave. Po çfarë ka ndodhur? Spitali Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Koço Gliozheni” ka hapur një tender nëpërmjet Agjencisë së Blerjeve të Perqendruara me objekt “Shërbimi i lavanderisë dhe hotelerisë në pavionet e Spitalit Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Koço Gliozheni””.

Tenderi mban numrin e referencës REF-68613-08-13-2020 dhe ka fond limit shifrën prej 185,496,117 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Tani fillon çudia. Në tender kanë marrë pjesë 5 firma nga të cilat ka fituar një firmë që ka ofruar gati 700 milionë lekë të vjetra me TVSH më shumë se njëri nga garuesit. Bëhet fjalë për firmën "UNIVERS SERVIS" SHPK me pronar Plarent Gjinari që është shpallur fituese më vlerën 171,224,352 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.05 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkohë njëra nga firmat garuese ka ofruar vlerën 113,165,591 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.35 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Pra diferenca është absolutisht skandaloze në një vlerë prej rreth 700 milionë lekë të vjera me TVSH. Në rastin më të mirë, shteti i bie të ketë humbur 700 milionë lekë të vjetra, një dëm i pastër ekonomik. Po prisni pasi kjo nuk është çudia e vetme. Njëra nga firmat në garë ka marrë pjesë, po ka ofruar vlerën zero. Kjo tregon qartë se pjesëmarrja e saj ka qenë sa për numër dhe se fituesi ka dyshime të forta që të ketë qenë i paracaktuar. Natyrisht edhe raporti mes vlerës fituese dhe fondit limit ngre dyshime të forta për parregullsi në shpalljen e fituesit. Kjo sepse vlera fituese është sa 92.3% e fondit limit, duke sugjeruar qartazi për dyshime të forta për një fitues të paracaktuar. Dhe së fundmi, ëmbëlsira... Firma "UNIVERS SERVIS" SHPK që fitoi tenderin me vlerë mbi 2 miliardë dollarë për të larë çarçafë, ka 100 mijë lekë kapital. Çudira shqiptare!