ARRSH apo ndryshe Autoriteti Rrugor Shqiptar, vazhdon përsëri që të mos i zhgënjejë fansat e tij. I drejtuar tashmë nga drejtori i ri Evis Berberi, ky institucion nuk ndalet së organizuari tendera të dyshimtë. Janë gati 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH që ARRSH “i ka dhuruar” kompanisë “AGBES CONSTRUKSION” në pronësi të Arben Goga dhe Bashkim Ramaj. Ju duket si emër i dëgjuar kjo firmë? Me shumë mundësi ua ka zënë veshi, pasi është kompania e cila ka marrë rreth 35 miliardë lekë të vjetra me TVSH për ndërtimin e aksit Kardhiq-Delvinë, aks i cili deri më sot nuk ka përfunduar akoma.
Mirëpo sikur të mos mjaftonte kjo, firma në fjalë ka fituar edhe gati 2 miliardë lekë të vjetra të tjera në një tender të ndryshëm por të dyshimtë. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me numër reference REF-65452-07-14-2020 dhe më objekt “Loti VII : Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Vlore (k/spital) – Peshkepi + rruga Peshkepi – Selenicë + rruga Peshkepi – Vllahinë + rruga Vllahinë – Poçem – Povel + rruga Levan – Vlorë (e vjetra)”.
Nga dokumentacioni i tenderit mësohet se kanë garuar vetëm dy kompani apo bashkime kompanish, nga të cilat ka fituar ai që ka dhënë më shumë. E habitshme? Aspak, pasi jetojmë në Shqipëri. Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “BALILI KONSTRUKSION” & “AGBES CONSTRUKSION” me vlerë të ofruar 149.759.590 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Por çudia qëndron në faktin se bashkimi tjëtër i kompanive në garë ka ofruar gati 200 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak. E megjithatë pavarësisht diferencës kaq të madhe, nuk është konsideruar fitues, duke lindur dyshime se fituesi mund t ketë qenë i paracaktuar. Këtë e përforcon edhe fakti se vlera fituese është sa 88.5% e vlerës së fondit limit.