Një fëmijë 9- vjeçar ka humbur jetën pasi një municion i pashpërthyer i mbetur nga sulmet izraelite shpërtheu në Rripin e Gazës. Sipas informacioneve të marra nga burimet e sigurisë, dy palestinezë, përfshirë një fëmijë, u plagosën kur një “objekt i dyshimtë” i mbetur nga sulmet izraelite në rajon muajin e kaluar shpërtheu natën e kaluar. Fëmija 9 vjeç Ubeyde Dahduh nga pjesa lindore e Gazës, i cili u plagos nga shpërthimi, humbi jetën pas plagëve të marra. Trupi i fëmijës palestinez u varros në Varrezën Lindore pas namazit të xhenazes. Sulmet e nisura nga Izraeli në Rripin e Gazës përfunduan më 21 maj (pas 11 ditësh luftime të ashpra). Më 21 maj u arrit armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.
Kujtojmë se në sulmet izraelite në Gaza humbën jetën 254 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra, kurse 1.948 u plagosën. Gjithashtu janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale dhe janë rrënuar ndërtesa të tëra.
Burimi: yenisafak.com |Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania