JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Enkel Joti hap thesin e Shëndetësisë! 6.5 Miliard Lekë për aparatet mjekësore në QSUT
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 09/06/2021 17:09

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Rihapen sërish tenderat e kripur të Ministrisë së Shëndetësisë. Është ai i përvitshmi, tenderi i hapur nga Enkel Joti i QSUT për Menaxhim dhe Mirëmbajtje e Aparaturave Mjekësore në QSU “Nënë Tereza” me afat 4 vjet (48 muaj) me vlerë 6.4 Miliard Lekë pa TVSH. Kontrata publike do të jetë e llojit Marrëveshje Kuadër ku fituesi i merr të gjitha, me Procedurë të hapur, mbi kufirin e lartë monetar.

Tenderi është hapur para dy ditësh dhe fituesi do të shpallet më 22 Qershor, për një lidhje kontrate me afat 4-vjeçar. Rikujtojmë se i njëjti tender me këtë objekt u hap edhe vjet me vlerë 7 Milionë euro, por u anulua pasi Joti ndryshoi disa herë kriteret e fituesit. Ky tender me vlerë kaq të lartë është padyshim një nga më të frikshmit e këtij sektori dhe mundësia për të bërë hile padyshim që e çon drejtuesin e institucionit pas hekurave. Ky tender i përvitshëm i këtij institucioni i jep fituesit një prej vlerave më të mëdha të procedurave publike të hapura ndonjëherë në sektorin e Shëndetësisë dhe për këtë dyshohet se fituesi paracaktohet.

Në tenderin e mirëmbajtjes, përveç aparaturave mjekësore janë përfshirë edhe shtretër mjekësorë operimi, të cilët mund të mirëmbahen nga inxhinierët e QSUT sepse nuk është e logjikshme të futen në tenderin me objekt mirëmbajtjeje. Ndër të tjera ky tender nuk është ndarë në lote dhe një shumë kaq e madhe parash publike të financuara nga Buxheti i Shtetit do t’i jepet një kontraktuesi të vetëm.

Vlerësimi do të bëhet sipas ofertës ekonomikisht më të favorshme, dhënia e tenderit disa kontraktuesve është përjashtuar me justifikimin se ofrimi i këtij shërbimi nga disa operatorë ekonomikë nuk është i favorshëm pasi i krijon vështirësi autoritetit kontraktor për mbulimin me shërbim në kohën e duhur. Të gjitha pajisjet "jo gjendje pune" përjashtohen nga shërbimet. Pajisjet me defekt do të përfshihen në program pas riparimit ose riinvestimit. Operatori ekonomik duhet të përdorë pjesë këmbimi origjinale nga prodhuesi ose nga prodhues i certifikuar për pjesë këmbimi nga burime të tjera.

Nuk dihet se kush do të shpallet fitues i këtij tenderi nga Joti, pritet një rishqyrtim i kompanive të shëndetësisë që kanë lidhur marrëveshje kuadër me ketë institucion.


© 2021 JOQ ALBANIA Të gjitha të drejtat e rezervuara

Ky artikull është ekskluziv i JOQ ALBANIA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar JOQ ALBANIA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.