JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Skandali/ Bossi i prostitucionit fiton tenderin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03/06/2021 22:21

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Në fakt titulli e quan skandal këtë që do t’ju paraqesim në vijim, por duke patur parasysh faktin që jetojmë në vendin e çudirave, nuk do të ishte skandal por një gjë e zakonshme. E pra të dashur miq, bëhet fjalë për një tender të dhënë nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” ndaj kompanisë së themeluar nga Lefter Lamaj, një bos i vërtetë i prostitucionit në Itali, referuar artikujve të shumtë në media.

Lamaj u arrestua në Shqipëri në vitin 2017 dhe u ekstradua në Itali ku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për shkak se i ishte dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Sipas medieve italiane, “Lefter Lamaj, është shefi i padiskutueshëm i grupit të prostitucionit në Piacenza midis viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000.”

Por ky fakt duket se nuk e ka penguar maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” drejtuar nga drejtoresha Eliona DEMALIAJ, që ti japë një tender për lavanderi në vlerën prej rreth 140 milionë lekë të vjetra me tvsh. Nëpërmjet kompanisë së themeluar prej tij “D E V I S”, aksionet e së cilës ia ka kaluar shtetases Kristinka Leka, bashkëjetueses dhe nënës së fëmijës së tij, ai është shpallur fitues ndonëse ka ofruar më shumë se pjesëmarrësit e tjerë në garë.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-96515-05-26-2021 dhe me objekt “Për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë në pavionet e S.U.O.GJ “Mbretëresha Geraldinë”. Shikohet se në të kanë marrë pjesë vetëm dy firma dhe fituese është shpallur “D E V I S” ndonëse ka ofruar rreth 20 milionë lekë të vjetra me tvsh më shumë se konkurruesi tjetër.

Shikohet gjithashtu se procedura e prokurimit ka qenë me negocim, pa botim paraprak të njoftimit të kontratës. Së fundmi, siç ndodh rëndom në raste të tilla, fituesi ka ofruar një vlerë identike me fondin limit të tenderit. Më konkretisht vlera e ofruar nga “D E V I S” është sa 100% e vlerës së tenderit limit. Ka lezet, apo jo?