JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Blendi Gonxhja shpall fitues të njëjtat firma në dy tendera të ndryshëm, ndonëse ofruan më shumë se të tjerët
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19/05/2021 22:00

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë duket se ka realizuar dy tendera të cilat shfaqin dyshime në lidhje me mënyrën e shpalljes së fituesit. Më konkretisht bëhet fjalë për dy tendera të ndarë nga njëri-tjetri të cilat kapin një vlerë të fondeve të tyre limit në rreth 276 milionë lekë të vjetra me TVSH.

E çuditshme është se të dy tenderat janë publikuar në të njëjtën ditë dhe fitues janë po të njëjtat kompani. Jo vetëm kaq por edhe një nga pjesëmarrësit ka marrë pjesë në të dy tenderat ndonëse kanë objekte të ndryshme.

Kështu, në tenderin e parë me objekt ”Mobilim Urban, Sistemim Sheshi, Ndriçim për DRSHTRR Tiranë ” kanë marrë pjesë 4 firma, përkatësisht BOE “Arkonstudio”shpk & “ED-Konstruksion” shpk me vlerë oferte 14.575.572 lekë të reja pa TVSH, “K-AAV”shpk me vlerë oferte 12,453,840 lekë të reja pa TVSH, “Boshnjaku.B” shpk me vlerë oferte 14,150,671 lekë të reja pa TVSH, dhe “Leon Konstruksion”shpk me vlerë oferte 15,145,525 lekë të reja pa TVSH. Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Arkonstudio”shpk & “ED-Konstruksion” të cilët kanë ofruar rreth 25 milionë lekë të vjetra me TVSH më shumë se njëri nga operatorët në garë.

E nëjta gjë ka ndodhur edhe në tenderin e dytë me objekt “Ndërtim i Rrugës Hyrje-Dalje për DRSHTRR Berat”. Këtu shikohet se kanë marrë pjesë vetëm 3 firma, përkatësisht BOE “Arkonstudio”shpk & “ED-Konstruksion” shpk me vlerë oferte 8,479,711 lekë të reja pa TVSH, “K-AAV”shpk me vlerë oferte 8,355,480 lekë të reja pa TVSH, dhe “Avduli”shpk me vlerë oferte 6,028,292 lekë të reja pa TVSH. Edhe në këtë tender, ndonëse dy firmat e tjera kanë dhënë oferta më të ulëta, për habi prapë fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Arkonstudio”shpk & “ED-Konstruksion”. Mbështetur në sa më sipër, krijohen dyshime se në të dy këto tendera fituesi mund të jetë i paracaktuar.