Jeta e mijëra qytetarëve të Kosovës u rrezikua ditën e sotme pasi u krijua tollovi te salla “i Tetori” në Prishtinë nga numri i madh i të interesuarve për imunizim. Ministria e Shëndetësisë është arsyetuar lidhur me rastin.
Zyrtari i kësaj ministrie, Faik Hoti, thotë se tollovia u shkaktua pasi qytetarët nuk e kishin kuptuar drejt informacionin se ku do të mund të drejtoheshin për të marrë dozën e parë kundër Covid-19.
“Procesi i vaksinimit në Kosovë ka filluar me vonesë në krahasim me vendet e tjera dhe pas fazës së parë që kishte përfshirë disa kategori të caktuara në vaksinim, nga dita e mërkurë në Kosovë u fillua me fazën e dytë të vaksinimit ku prioritet iu tha një grupacioni, një kategorie në numër shumë më e madhe se kategoritë që janë vaksinuar në fazën e parë. Me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi dhe të rritjes së spektrit të atyre që do të përfshihen në procesin e vaksinimit kundër Covid-19 në Kosovë Ministria e Shëndetësisë filloi nga e mërkura që të vaksinojë qytetarët e moshës mbi 65 vjeçare me qëllim të krijimit të imunitetit të tyre për mbrojtje nga Covid-19”, thotë Hoti për RTK’në.
“Ditën e parë patëm gjithashtu një fluks të madh të qytetarëve ndërsa sot ishte fluksi edhe më i madh sepse duket se disa qytetarë nuk e kanë kuptuar drejtë informacionin e dhënë që nga dita e sotme procesi i vaksinimit shtrihet në të gjitha komunat përveç vaksinimit në sallën “1 Tetori”, shtoi ai.
Sipas Hotit, pamje të tilla nuk do të përsëriten.
“MSH është e përkushtuar dhe siguron qytetarët se pamje të tilla më nuk do të ndodhin për shkak e gjatë ditës së sotme është punuar me komunitetin”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte njoftuar të mërkurën , më 12 maj, do të nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit.
Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca – 24,000 sosh – në fund të marsit, përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
BE’ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit dhe çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE’ja, ose nga OBSH’ja.
Të premten, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arriti në 106.803, i viktimave në 2.220 dhe i të shëruarve në 99.097.