Në fundin e pjesës së parë është ndërprerë takimi midis Sopotit dhe Mirditës, që po luhej në stadiumin e Cërrikut. Shkak u bë goditja e gjyqtarit vlonjat Klajdi Qendraj, nga një lojtar i Mirditës. Por, nuk mbaron me kaq. Burime bëjnë me dije se agresori është futur në dhomat e zhveshjes dhe më pas është “arratisur” nga tualeti. Ndërkohë, sipas panorama kur policia ka hyrë në dhomat e zhveshjes futbollisti agresor ia ka mbathur dhe nuk kanë mundur ta arrestojnë. Uniformat blu janë vënë në kërkim të lojtarit, ndërsa në pyetje po merren lojtarët dhe stafi i Mirditës.
Nga ana tjetër, stafi i Mirditës ka zbuluar se dhunuesi nuk ishte lojtari me identitetin e protokollit, por një tjetër futbollist, duke nxjerrë në pah kështu edhe një mashtrim të ekipit të Mirditës pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrit kryesor të ndeshjes. Vlen të thuhet se dhuna ndaj arbitrit vlonjat, ka ardhur nga lojtari që sipas protokollit identifikohej si Ylli Gjegja me numrin 2 i ekipit të Mirditës.
Por, në të vërtetë pas verifikimit të kryer nga zyrtarët e FSHF dhe policia lokale rezultoi të ishte Armando Marku, që luajti me emrin e Ylli Gjegjës. Nga ana tjetër, arbitri Klajdi Qendraj ka marrë ndihmën e shpejtë mjekësore në Spitalin e Cërrikut dhe më pas ka depozituar në Policinë e Cërrikut denoncimin për dhunimin me pasojë plagosjen e tij, ndërsa ishte duke kryer detyrën. Ndërkohë, pasi janë marrë në pyetje për gati dy orë, lojtarët e ekipit Mirdita së bashku me stafin janë lënë të lirë.