JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

I “mësonte” rrugët/ Taksisti ‘nxehet’ me klientin piktor: Më goditi, më tha do të thyej kockat
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03/05/2021 18:13

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Të jetosh dhe qarkullosh në Tiranë është bërë shumë e vështirë, në veçanti për drejtuesit e mjeteve. Stresi që sjell trafiku në Tiranë hap sherre dhe konflikte nga më të ndryshme. Deri tek konfrontimi mes një taksisti që duhet ta çonte sa më shpejt në destinacion një qytetar, me të cilin u grind pasi ky i fundit i jepte pa pushim sugjerime se nga të kalonte për të shmangur radhët e gjata. Sipas gazetës “Si”, në një moment shoferi është nxehur dhe duke i rënë timonit i ka kujtuar klientit piktor se nuk ka asnjë shans që ai t'i mësonte rrugën ndaj duhet të zbriste nga makina. Çështja nën hetim nga policia u hap nga denoncimi i shtetasit me iniciale E.B, i cili denoncoi për humbje kohe shërbimin e taksive që sipas tij nuk përmbushi detyrën për ta dërguar atje ku ai kishte punë.

“Jam paraqitur sot para jush për të bërë ankim ndaj shërbimit të taksive, pasi shoferi i tyre nuk më çoi në destinacion”, ka kallëzuar E.B.

Shtetasi në fjalë, i tha policisë se si e mori taksinë pranë kopshtit Botanik dhe se duhej të shkonte pranë Liceut Artistik.

“Ai mori drejtimin e gabuar dhe e kujtova që duhet të ndryshonte drejtim. Pastaj e morën në telefon dhe filloi të fliste në telefon. Sapo mbylli telefonin më tha zbrit nga taksia. Më goditi! Më tha do të thyej kockat. Më dëmtoi pikturën dhe telefonin. Ishte i dehur dhe mbante erë alkool.”, i tha piktori policisë duke shtuar se në këtë agjenci taksish ishte klient prej 10 vitesh.

Ndërkohë, burime për gazetën “Si” bëjnë me dije se policia kërkoi paraqitjen në komisariat të taksistit me iniciale I.K., por ky i fundit tregoi një version tjetër. Ai fajësoi klientin duke thënë se ishte fyes, acarues dhe tekanjoz.

“Personi në fjalë ishte rreth 35 vjeç. Sapo mbërrita në vendin ku më tha në telefon agjencia, filloi të më kërkojë llogari se përse isha vonuar. U mundova ta sqaroj, por ai vetëm bërtiste dhe nuk e zgjata më shumë diskutimin me të. Më kërkoi ta çoja pranë Liceut Artistik. Rrugës më kërkoi të nxitoja, të kaloja në korsi tjetër, të prisja krahun. Por unë në zbatim të rregullave të qarkullimit vijoja në korsinë time, ky person që për mendimin tim ishte agresiv hapi derën dhe zbriti nga makina, pasi po bëja lëvizje të ngadaltë nga trafiku. Frenova nxitimthi dhe dola nga makina. E pyeta ç’po bën?, por ai fliste në telefon dhe ndërkohë nisi të më shajë.” shpjegoi i akuzuari.

Taksisti këmbëngul se e paralajmëroi klientin ose të hipte në taksi, ose t'i paguante paratë për rrugën që kishin bërë.

“I thashë të shkonte ku të donte, por duhet të më paguante, por ai përgjigjej, nuk t’i jap”.

Sipas policisë nga verifikimet e mëpasshme pranë kompanisë së taksive, rezulton se shoferi ka paguar nga xhepi 2500 lekë, të shërbimit të kësaj dite. Nisur nga ky kallëzim vërehet se nuk ka vepër penale, por ndërkohë i kanë propozuar klientit artist se nëse ai ka pretendime për shkaktim të dëmit nga humbja e kohës, mund t'i drejtohet gjykatës civile.