Në një qytet ku qindra mace endacake enden rrugëve, një xhami në Stamboll, Turqi, po hap dyert për ato kotele që kërkojnë ngrohtësi dhe strehim.
Imam Mustafa Efe nisi të mirëpresë macet endacake në xhami që në vitin 2015 dhe që nga ajo kohë, historia e bujarisë së tij është bërë e njohur në të gjithë botën. Ai i quan macet "mysafire" të xhamisë dhe siç mund ta shihni, i ka bërë ato të ndihen mirë, si në shtëpinë e tyre.
Njëra nga macet ndihej aq mirë në xhami, sa vendosi se do të ishte një vend i mirë për të rritur të vegjlit e saj. Në videon më poshtë, nëna endacake i fut kotelet e saj, një nga një, në xhami dhe në shkallët e minares ku imami predikon.
Imami Efe kishte disa fjalë të mira për të thënë në lidhje me macet, të cilat e befasuan atë gjatë një predikimi të Xhumasë të së Premtes. "Kotelja ka gjetur zemrën e dhembshurisë dhe mëshirës,"-shkroi ai në një postim në Facebook.
Një pjesë e vogël e dhembshurisë dhe mëshirës është gjithçka që u duhet maceve endacake në këtë botë dhe në këtë xhami, kotelet e pastreha kanë gjetur rehati. Imam Efe vazhdon të sigurohet që "mysafiret" e xhamisë së tij në Stamboll të jenë gjithmonë nën përkujdesje, dhe macet janë mirënjohëse që kanë një vend që mund ta quajnë shtëpi.
Burimi: THE DODO | Përktheu dhe Përshtati: JOQ ALBANIA