Është e pabesueshme, por e vërtetë. Rruga “Kardhiq-Delvinë” duket se po shërben si një sebep i mirë për të dhënë miliarda shtesë në kohë fushate. Vetëm pak ditë më parë ju përmendëm një shtesë kontrate për njërin prej loteve të kasaj rrugë, në vlera prej disa miliardash. E pra tani, duket se i ka ardhur rradha një tjetër loti, përkatësisht atij me numër 6. Ergys Verdho, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar rezulton se ka organizuar një tender të ri për t’i dhuruar kompanisë e cila ka fituar tenderin për këtë lot, edhe gati 6 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH.
Bëhet fjalë për kompaninë AGBES CONSTRUKSION, e cila është aktualisht ndërtuesja e këtij loti, sipas kontratës së nënshkruar më datë 24.09.2018 me numër 6708/5. Sipas kësaj kontrate, kjo firmë ka marrë 2,854,371,726 lekë të reja me TVSH, ose rreth 28.5 miliardë lekë të vjetra. Mirëpo me sa duket rezulton se gjithë këto para nuk kanë qenë të mjaftueshmë dhe është dashur që të bëhët një shtësë kontrate.
Kjo shtesë kontrate është realizuar nëpërmjet tenderit më numër reference REF-92372-04-07-2021 dhe me objekt “Ndërtim Rruga Kardhiq-Delvinë, Loti 6 (shtese punimesh)”. Natyrisht procedura ka qenë me negocim, pa njoftim, dhe fituese është shpallur firma që po kryen aktualisht punimet. Vlera fituese e tenderit është 467,074,582 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 6 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
AGBES CONSTRUKSION rezulton të jetë në pronësi të shtetasve Arben Goga dhe Bashkim Ramaj. Nga sa më sipër, gjithashtu bazuar edhe në rastin e pak ditëve më parë me një tjetër lot të kësaj rruge, rezulton se ky aks është një gjenerator i vërtetë miliardash. Jo për popullin por për të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë. Në total, vlera e këtij loti bashkë me shtesën rezulton të jetë 3.415.255.766 lekë të reja me TVSH. Jo keq, apo jo?