Ka shkuar në 7 numri i kontrollorëve të shoqëruar në polici, pas pezullimit të punës në Aeroportin "Nënë Tereza". Mes të shoqëruarve janë kontrollorët Muhni Mezini dhe Flora Ndreca, ku kjo e fundit u ndalua menjëherë sapo doli nga studio e emisionit ku ishte ftuar për të folur në lidhje me atë që po ndodh në Rinas. Ndërkohë emrat e të shoqëruarve të tjerë ende nuk janë bërë puiblikë. Më herët u raportua se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur hetimet për situatën e ndodhur në aeroportin e Rinasit. Prokuroria po heton pas kallëzimit që Albcontrol ka bërë ndaj disa emrave konkretë të kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas, që mendohet se nxitën grevën dhe bllokimin e punës.
Ata po hetohen për veprën penale "Shpërdorim detyre". Kujtojmë se prej ditës së djeshme aeroporti i vetëm në Shqipëri u përfshi nga një kaos total, pasi është pezulluar çdo fluturim. Shkak për pezullimin e punës nga ana e kontrollorëve të trafikut ajror u bë ulja e pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë. Ata u shprehën se për këtë arsye ndihen të stresuar.