Një tragjedi ka ndodhur në një familje shqiptare në Lipjan të Kosovës.
Fatkeqësisht, tre ditë pas varrimit të babait, që humbi jetën nga koronavirusi, ka ndërruar jetë edhe djali i tij 29-vjeçar.
Mediat kosovare raportojnë se ai kishte edhe probleme tjera shëndetësore, ndërsa bashkë me të atin kishin rezultuar pozitiv me koronavirus. Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi, ka dhënë detaje në lidhje me këtë rast. “Zyrtarisht ne nuk kemi informacione për viktimat. Por 29-vjeçari ka vdekur dhe është varrosur sot. Ai ka qenë duke u trajtuar, ndërsa para 3 ditëve ka vdekur edhe babai i tij. Edhe ai ishte i infektuar”,- ka thënë drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi. Ditën e sotme u raportuan 10 viktima nga koronavirusi dhe 311 raste të reja në 24 orët e fundit.