Shpesh herë autorët apo krijuesit e memeve kudo në botë, studiojnë mjedisin që i rrethon dhe fenomenet që u lënë përshtypje negative i shndërrojnë në foto kryesisht demotivuese humoristike. Këto foto ndryshe njihen me emrin meme.
Mirëpo për fat të mirë apo të keq, krijuesit shqiptarë të memeve nuk kanë nevojë të lodhen shumë pasi vetë Shqipëria është një meme e madhe. I tillë është edhe rasti që do t’ju paraqesim sot në lidhje me një tender të hapur nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë. Mësohet se ky institucion ka planifikuar të harxhojë rreth 28 milionë lekë të vjetra për t’u mësuar mësuesëve se si të japin mësim online!
Të gjithë e dimë se thuajse që në muajt e parë të këtij viti, të gjithë mësuesit e ciklit parauniversitar dhe jo vetëm, kanë zhvilluar mësim online për shkak të mbylljes së shkollave si pasojë e COVID-19. Çuditërisht, shumë muaj më pas, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë mendon se duhet të realizojë një tender për t’u mësuar mësuesëve të bëjnë atë që kanë bërë prej muajsh.
Nuk është e kuptueshme qartë se përse duhet të harxhohen plot 28 milionë lekë të vjetra për të bërë diçka që tashmë dihet. Aq më tepër që ka muaj që ndodh. E vetmja përgjigje është se kemi të bëjmë me një abuzim të pastër dhe me një vjedhje të hapur të parave publike.
Këtë e përforëcon edhe fakti se kursi do të bëhet online në vetëm dy ditë dhe për këtë duhen plot 25 trajnues. Abuzimi edhe në këtë rast është tepër i qartë, pasi duke ditur që trajnimi do të bëhet online, do të mjaftonte vetëm një trajnues i cili mund të trajnonte të gjithë mësuesit në të njëjtën kohë, sado i madh numri i tyre. Pra 24 trajnuesit e tjerë nuk janë aspak të nevojshëm. E ç’të thuash më tepër? Asgjë, në fakt, pasi gjithçka flet vetë. E gjithë ngjarja është një meme e vërtetë!