Vetëm pak ditë më parë bëmë një artikull në lidhje me Paqsor Buzi-n, administratorin dhe ortakun me 50% i kompanisë “GPG”. Në mënyrë të pashpjegueshme, rezulton se ky personazh thuajse i panjohur dhe në mënyrë “të heshtur”, kishte përfituar nga shteti shqiptar tendera në infrastrukturë në vlera të pabesueshme që shkojnë deri në plot 100 milion euro!
Në këto kushte, natyrisht pyetja më elementare që secili prej nesh do të bënte është: Si ka mundësi? Si është e mundur që një person i panjohur të marrë kaq shumë para nga shteti? Natyrshëm ajo që të vjen në mendje është se pas tij duhet të fshihet dikush tepër i fuqishëm nga politikanët shqiptarë. Aq i fuqishëm sa i jep tendera në vlera kaq të larta, madje edhe pa garë fare siç është rasti më i freskët që do t’ju paraqesim sot.
Bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-76996-10-28-2020 dhe me objekt “Ndërtim By Pass Tepelenë, Loti 1 (shtesë punimesh)”. Vihet re se procedura e prokurimit është realizuar me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit. Kjo do të thotë se nuk ka patur asnjë garë të hapur në mënyrë që të gjithë të kishin mundësi të garonin. Për rrjedhojë fitues është shpallur pikërisht Paqsor Buzi me kompaninë e tij “GPG”, si i vetmi pjesëmarrës.
Tenderin në fjalë e ka organizuar Autoriteti Rrugor Shqiptar i kryesuar nga drejtori i tij, Ergys Verdho. Fondi limit i tenderit është 468.262.149 lekë të reja pa TVSH. Ndërsa Paqsor Buzi është shpallur fitues me vlerën e ofruar prej 450.812.589 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 5.5 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë e ofruar prej tij është sa 96,27% e fondit limit, një shifër kjo mjaft e dyshimtë që të bën të mendosh se një pjesë e madhe e parave do të përfundojnë në xhepat e Ergys Verdhos dhe politikanit të madh që fshihet pas Paqsor Buzit. Ju të tjerët ndërkohë, rrini dhe numëroni se sa lekë do t’ju duhen deri në fund të muajit!