Java e kaluar në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje enorme të të infektuarve me koronavirus. Pothuajse çdo ditë numri ka kaluar mbi 400 të infektuar brenda 24 orëve. Por këto numra si duket nuk i ndalojnë qytetarët që të grumbullohen e të bëjnë dasma. Mbrëmë policia e RMV-së ka ndërhyrë në fshatin Gllumovë të Shkupit për të ndërprerë një dasmë, në një restorant me 300 mysafirë. Përpos policisë në aksion kanë marrë pjesë edhe inspektorë të inspektorateve të ndryshme. Në RMV gjatë kësaj jave janë paralajmëruar masa të reja kufizuese. Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal. Gjatë 24 orëve të fundit në RMV janë regjistruar mbi 400 raste, 200 raste vetëm në rrethinën e Shkupit.